Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere sot do të shqyrtoj dy marrëveshje mes të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në rend të ditës është Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Shoqërore dhe ai për zbatimin e Lehtësirave Doganore dhe kontrollit të hyrje-daljeve të mallrave, që parasheh të hap pikën doganore të Kosovës në Portin e Durrësit, përcjell Telegrafi.
“Projektligji nr.08/L-126 për ratifikimin e Marrëveshjes për Sigurime Shoqërore në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë dhe Projektligji nr.08/L-127 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe/ose të kontrollit të hyrjes/daljes së mallrave”, thuhet në njoftim.
Komisioni pritet të mblidhet në ora 10:00.
Ditë më parë ministrja shqiptare e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj ka bërë me dije se është miratuar Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve. Sipas saj, marrëveshja i përket zbatimit të lehtësimit të procedurave doganore, si dhe kontrollit të hyrjes dhe daljes së mallrave.
Ndër të tjera, Ibrahimaj kishte thënë se ky Projektligj parashikon edhe çeljen e pikës doganore të Kosovës në Portin e Durrësit.
Po ashtu, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekruan Murati pati deklaruar se përmes ratifikimit në Kuvend të dy marrëveshjeve do të zbatohen lehtësirat doganore.
Kujtojmë se, Qeverisë e Kosovës dhe Këshilli i Ministrave të Shqipërisë gjatë takimit të përbashkët më 26 nëntor 2021 në Elbasan kanë nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e lehtësirave doganore dhe të kontrollit të hyrje/daljes së mallrave.