Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, ka kritikuar Qeverinë Kurti për keqmenaxhim me sektorin e energjisë.
Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë edhe për 30 ditë, Shala ka thënë se ekzekutivi nuk po bën asnjë veprim konkret, legjislativ e as operacional për ndryshimin e gjendjes në këtë sektor.
“Nuk mundemi pa kufi me bë një papërgjegjësi menaxhuese e politike qeveritare. Qeveria e ka për obligim me gjetë zgjidhje”, ka deklaruar ai, duke shtuar se Qeveria po e keqpërdor ligjin që i mundëson shpalljen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.
Duke iu drejtuar ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, deputeti i PDK-së ka pyetur se ku është strategjia energjetike.
“E nderuara ministre, ku është strategjia? Na ke premtuar nga marsi. Na ke mashtruar neve, por edhe kryeministrin. Si ka mundësi që kryeministri po thirret në një strategji që nuk ekziston?”.
“Çka po ndodh? Cilat masa i ke marrë me B2-shin? Cilët hapa i ke ndërmarrë? Asnjë. Prodhimi në termocentrale ka rënë. Ku mbeti udhërrëfyesi për energjinë?”, është shprehur tutje ai.