Nataliya Apostolova ka komentuar edhe njëherë monopolin në homologim në Kosovë.
Shefja e zyrës së BE-së në Kosovë ka thënë se ka vënë re shumë shkelje me këtë shërbim dhe se duhet patjetër që ekskluzivititeti ndaj vetëm një kompanie të hiqet.
“Brenga ime është me këtë ligj, nëse shkon në këtë mënyrë, dhe udhëzimin administrativ, për të cilin thatë se është gjithashtu i vlefshëm. Nëse nuk ka amendamente, atëherë mjedisi konkurrues në tregjet e Kosovës do të jetë tërësisht i përçarë. Pse? Sepse për momentin për shkak të këtij udhëzimi administrativ, është vetëm një kompani që i bën kontrollet e homologimit. Së pari, ky është monopol në treg, që bie ndesh me parimet e konkurrencës së drejtë dhe është kundër acquis communautaire [legjislacion të BE-së] tonë. Së dyti, është edhe më shqetësuese, është fakti që të gjitha këto kontrolle kryhen vetëm në Prishtinë. Kushtojnë 175 euro. Pra, njerëzit duhet të udhëtojnë nga e tërë Kosova në Prishtinë për ta bërë kontrollimin këtu, që nuk është praktikë askund gjetiu në botë. Dhe, së treti, që gjithashtu është mjaft tronditëse, është fakti që edhe nëse keni certifikatë evropiane për konformitet, që është për një veturë të re të cilën e importoni në Kosovë, ju përsëri jeni të obliguar, është e detyrueshme, që ju të shkoni dhe ta bëni kontrollimin. Pra, certifikatat evropiane të lëshuara nga Gjermania, Franca, Italia, etj. nuk njihen”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se nuk është i vështirë ndryshimi i ligjit që do të hapte në treg këtë shërbim dhe se për këtë duhet vetëm vullnet politik për ta bërë.
“Dua t’ju them që për ta ndryshuar dhe prezantuar një ligj në mënyrën që duhet të jetë, ne i kemi financuar ekspertët nga TAIEX-i, që është programi ynë për asistencë dhe ia kemi dhënë Ministrisë së Infrastrukturës, në të vërtetë dy persona që kanë punuar me ta dhe e kanë përgatitur raportin e vlerësimit, çka duhet të ndryshohet dhe në çfarë mënyre për të qenë në pajtim me rregullat e konkurrencës, të cilat Kosova, natyrisht, përpiqet t’i ketë një ditë në lidhje me anëtarësinë e saj”, ka thënë ajo.