Banka e Shqipërisë organizoi javën e kaluar ankandin e parë të blerjes së euros në tregun valutor për vitin 2022.
Sipas të dhënave nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 7.45 milionë euro, ndërsa ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit në ankand kishin shumën totale të 8.1 milionë eurove. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 5 dhe 8 milionë eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë një shumë prej 6.5 milionë eurosh.
Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte në intervalin mes 121.34 dhe 121.51 lekëve. Kursi mesatar i ponderuar rezultoi 121.43 lekë. Në këtë ankand, Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në raundin e dytë, për një shumë shtesë prej 0.95 milionë eurosh, me kursin mesatar prej 121.43 lekësh.
As ankandi i parë i këtij viti nuk kanë dhënë ndonjë ndikim në luhatjet e kursit të këmbimit të euros me lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, gjatë javës së kaluar euro ka qenë i stabilizuar pranë nivelit të 121.3 lekëve, me lëvizje ditore të papërfillshme. Pas luhatjeve kryesisht me kah rënës në pjesën e fundit të vitit të kaluar dhe, pjesërisht, edhe në janar të këtij viti, kursi i këmbimit të monedhës europiane gjatë muajit shkurt është paraqitur mjaft i qëndrueshëm.
Bazuar në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, i dhjetorit 2021, parashikohet që për vitin 2022 të blihet në tregun e brendshëm valutor një shumë në intervalin midis 140 dhe 200 milionë eurosh. Kjo shumë është ndjeshëm më e lartë me atë të vitit të kaluar, kur ishin parashikuar blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë deri në fund të 9-mujorit 2021 dhe sipas informacioneve të mbledhura nga Monitor për tremujorin e katërt 2021, shuma faktike e blerjeve rezultoi shumë afër kufirit të sipërm të intervalit të parashikimit, me rreth 117 milionë euro të blera gjithsej.
Për vitin 2022, Banka e Shqipërisë ka parashikuar të zhvillojë gjithsej 15 ankande të blerjes së euros. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është 5-8 milionë euro për çdo ankand, ose 75-120 milionë euro gjithsej. Megjithatë, sipas rregullores për ndërhyrjet në tregun valutor, Banka e Shqipërisë mund të realizojë edhe blerje në një raund të dytë të ankandit, me kursin mesatar që rezulton nga ofertat e pranuara në raundin e parë.
Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore. Në fund të vitit të kaluar, rezerva valutore arriti shumën e pothuajse pesë miliardë eurove, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.
Zmadhimi më i rëndësishëm u regjistrua gjatë muajit nëntor, dhe ndikimin kryesor e dha Eurobondi prej 650 milionë eurosh i emetuar nga qeveria shqiptare në Bursën e Londrës. Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj, por ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çregullimit të kursit të këmbimit ose në funksion të objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë. /Monitor.al/









