Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, në emisionin DPT te Fidani në T7, ka thënë se përmes një linje hekurudhore me tren Prishtinë-Fushë-Kosovë, mund të rregullohet çështja e kolonave në mes të këtyre dy qyteteve.
Aliu tha se udhëtimi me tren “të lehtë” do ta shkarkonte qarkullimin e veturave ku po krijohen kolona të gjata në mes të Fushë-Kosovës dhe Prishtinës.
Ndër të tjera, Aliu tha se gjendja e hekurudhave është e rëndë, andaj edhe mendohet të modernizohen disa nga hekurudhat në Kosovë.
“Gjendja e hekurudhave është e rëndë, funksionon me fonde të Bashkimit Evropian. Është duke u modernizuar hekurudha e Hanit të Elezit që lidhet me Fushë-Kosovën, pastaj me Mitrovicën”, ka thënë Aliu.
“Janë projekte tjera, tashmë të dizajnuara, një ndër to është edhe hekurudha prej Fushë-Kosovës në Merdare”, është shprehur Aliu.
“Pastaj edhe hekurudha Prishtinë-Pejë është funksionale, ndërsa Klinë-Prizren, e cila nuk është funksionale, kërkohet të rindërtohet”, shtoi Aliu.