Kosova nuk mund ta sigurojë miellin me të mbjellat vjeshtore. Kështu ka bërë të ditur në emisionin aktual në RTK, profesori universitar Ymer Rusinovci. Ndërsa fermerët thonë se këtë vit do të ballafaqohen me probleme të mëdha sa i përket mbjelljes dhe shitjes, për shkak të ngritjes së çmimeve.
Profesori i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Imer Rusinovci, vlerësoi se çmimet në produktet bujqësore janë rritur për shkak të luftës në Ukrainë dhe rrethanave të tjera në tregjet globale.
“Sektori i bujqësisë duhet të mbështetet, pra ky sektor duhet të jetë prioritet për shkak se ky sektor rrit punësimin në vend”, tha ai.
Sipas tij fermerët janë në gjendje shumë të rëndë. “Do të ketë pasoja të rënda për fermerët për shkak të rritjes së çmimeve edhe të plehrave artificiale, si dhe për shkak të ndryshimit të çmimeve në tregjet ndërkombëtare, fermerët kosovarë janë të dekurajuar”, tha ai.
Kurse fermeri Gani Dobatiqi, i cili ka mbjellë mbi 20 hektarë me grurë pret mbështetje institucionale.
“Kur kemi mbjellë në vjeshtë grurin, nuk kemi pasur rritje të çmimeve të lëndës bazë, por dhe të plehrave artificiale, kurse tani me rritjen e çmimeve do të jetë problem për neve”, tha ai.












