Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pritet që kostot e importit të energjisë elektrike në katër muajt e parë të 2022-s, të arrijnë një shifër rekord prej 320 milionë eurove.
Rama ka theksuar se çmimet e energjisë elektrike janë rritur djeshëm që nga fillimi i vitit.
Çmimi mesatar i paguar në janar ishte 237 euro/MWh, ndërkaq në muajin shkurt ka rënë në 231 euro/MWh, por ai beson se çmimi mesatar për muajin mars, mund të arrijë deri në 500 euro/MWh.
Në janar, Shqipëria ka importuar 32.7 milionë euro në vlerë të energjisë elektrike, teksa në muajin shkurt ajo sasi është rritur në 48.35 milionë euro.
Tutje, vlerësimet thonë se kostot e importit në mars do të arrijnë 100 milionë euro.
Parashikimet fillestare për prill, me një prodhim edhe më të ulët nga hidrocentralet në vend, mund të arrijë 134 milionë euro.
Rama ka thënë se sasia totale për katër muajt e parë të 2022-s, do të mbulohet nga shteti, duke shtuar se nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike për sa kohë që do të ketë energji elektrike për t’u blerë në tregjet rajonale.
Ndërmarrja Shtetërore e Energjisë -KESH, ka mbyllur shumicën e njësive të saj hidro për shkak të nivelit të ulët të ujit të akumuluar.
KESH ka thënë se në tre rezervuarë në lumin Drin, ka ujë të mjaftueshëm për të prodhuar 315 GWh energji elektrike shtesë, krahasuar me 1,320 GWh në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Situatë e ngjashme është edhe në HEC-et në pronësi private, të cilët mbulojnë rreth 40% të gjenerimit total.
Prandaj, për të kursyer energjinë elektrike, Qeveria urdhëroi që të fiken dritat në objektet publike dhe ndriçimi publik i rrugëve.









