Shqipëri: Investimi i bankave në Eurobonde ka arritur në pothuajse 580 milionë euro

Vlera e obligacioneve në valutë të huaj të qeverisë shqiptare në bilancet e sektorit bankar arriti në rreth 70 miliardë lekë ose pothuajse 580 milionë euro në fund të vitit të kaluar.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar sektori bankar ka zgjeruar ndjeshëm ekspozimin tek borxhi në valutë të huaj i qeverisë shqiptare.

Për vitin e kaluar, vlera e investimit në instrumente të borxhit të qeverisë shqiptare në valutë u rrit me 54%. Ndikimin kryesor e dha Eurobondi 10 vjeçar i emetuar në muajin nëntor të vitit të kaluar. Sipas burimeve nga tregu, u vlerësua se bankat tregtare patën blerë rreth 8% të Eurobondit total prej 650 milionë eurosh, ose pak më shumë se 50 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Shuma e alokuar bankat vendase në ankandet e Eurobondeve zakonisht është e kufizuar (në intervalin mes 5% dhe 10%) me qëllim për të mos “tharë” likuiditetet e tregut vendas, por edhe logjikën e vetë procesit, që tenton të tërheqë një spektër më të gjerë investitorësh. Por, duke iu referuar bilancit të sektorit bankar, rezulton se zgjerimi i portofolit të titujve qeveritarë në euro ka qenë më i lartë.

Vetëm gjatë muajit nëntor 2021, portofoli i këtyre instrumenteve u zgjerua me shumën e barazvlefshme të 13.2 miliardë lekëve ose afërsisht 108 milionë eurove. Kjo tregon se, përveç blerjeve në emetim, bankat shqiptare mund të kenë blerë Eurobonde në vlerë të madhe edhe në tregun dytësor.

Në vitet e fundit, bankat i kanë parë titujt e borxhit në euro të qeverisë shqiptare si një alternativë mjaft fitimprurëse për të investuar likuiditetet e bollshme që ato disponojnë në monedhën europiane. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat bankare në euro në fund të 2021 arritën vlerën e 5.4 miliardë eurove, në rritje prej 17.8% ose 814 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Depozitat në valutë të huaj dominojnë strukturën e kursimeve të shqiptarëve në banka, me afërsisht 52% të totalit.

Rritja e investimeve në Eurobonde qeveritare është favorizuar edhe nga politikat e Bankës së Shqipërisë, që i ka njohur obligacionet e qeverisë në valutë si instrumente me peshë rreziku zero për efekt të llogaritjes së raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Banka qendrore ka mbajtur një qasje disi liberale në drejtim të vlerësimit të riskut të ekspozimeve të bankave kundrejt qeverisë, edhe për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia. Por, në situatën aktuale ku shqetësimet për një rritje të shpejtë të normave të interesit janë gjithnjë e më të larta, ekspozimi i lartë në borxhin e qeverisë shqiptare në valutë të huaj paraqet më shumë rreziqe. Duke filluar nga ky vit, investimet e reja të bankave në Eurobondet e qeverisë shqiptare do të njihen me peshë rreziku 100%. Kjo do ta kufizojë mundësinë e bankave për të rritur investimin në këto tituj me ritmet e dy viteve të fundit.

Portofoli i obligacioneve në valutë të qeverisë shqiptare në bilancet e bankave shënoi një rritje të ndjeshme veçanërisht në tremujorin e dytë të vitit 2020, pas shpërthimit të pandemisë. Në atë periudhë, qeveria shqiptare emetoi një obligacion dyvjeçar prej 120 milionë eurosh në tregun e brendshëm, si edhe Eurobond prej 650 milionë euro në tregjet ndërkombëtare. Bankat ishin financuesi kryesor i obligacionit kombëtar, por edhe një ndër blerësit kryesorë të Eurobondit.

Ekspozimi i bankave në këtë segment të borxhit të qeverisë shqiptare ngelet relativisht i vogël. Këto instrumente përbënin vetëm 3.9% të totalit të aktiveve të sektorit bankar në fund të vitit të kaluar. Megjithatë, ekspozimi total në borxhin e qeverisë shqiptare, përfshirë instrumentet në lekë, ka përmasa të konsiderueshme dhe arrin në më shumë se 26% të totalit të aktiveve të sektorit bankar.