Konkursi i hapur që nga muaji tetor i vitit të kaluar nga Administrata Tatimore e Kosovës për autorizim të operatorëve të rinj ekonomik për Pajisje Elektronike Fiskale, nuk ka dhënë ndonjë rezultat.
Operatorët ekonomik të autorizuar me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale, kanë mbetur të njëjtit që nga viti i kaluar.
Si rrjedhojë, edhe monopoli në tregun e pajisjeve fiskale duket se do ‘të vazhdojë’ edhe për një kohë, deri në çertifikimin e pajisjeve të njëjta fiskale nga dy e më shumë operatorë, përcjell Buletini Ekonomik.
Nga konkursi i hapur në tetor 2021, ATK-ja kishte çertifikuar vetëm një pajisje elektronike fiskale të një operatori ekonomik ekzistues, më konkretisht një lloj të Pajisjes Fiskale për operatorin ‘Service Global’.
Aktualisht, ky operator është i vetmi që ofron edhe shërbimet e shitjes për printerë fiskal në Kosovë, krahas dy lloje të arkave fiskale dhe dy llojeve të tjera të sistemeve fiskale për derivate.
Gjatë vitit të kaluar, si operator i çertifikuar për printerë fiskal kishte qenë edhe kompania tjetër ‘Enternet’ sh.p.k., por në përditësimin e fundit të ATK-së tek lista e të autorizuarve për PEF, kjo kompani nuk figuron më se është e çertifikuar për këtë pajisje.
Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se ndonëse numri i operatorëve ekonomik të Autorizuar për PEF është katër, dy nga operatorët ekzistues nuk kanë arritur ende të çertifikojnë asnjë pajisje fiskale.
Bëhet fjalë për kompaninë ‘Gekos’ dhe ‘Dukagjini’.
Sipas ATK-së, të dyja këto kompani nuk kanë arritur ende të certifikojnë asnjë model të Pajisjeve Elektronike Fiskale bazuar në legjislacionin në fuqi. Mirëpo, që të dyjat janë të obliguara të kryejnë mirëmbajtjen dhe servisimin e të gjitha Pajisjeve Elektronike Fiskale që i kanë instaluar vet, dhe që tani janë në përdorim nga tatimpaguesit.
“Tek lista e Operatorëve Ekonomik në ueb faqe të ATK-së, janë dy (2) Operatorë Ekonomik të cilët momentalisht nuk kanë arritur ende të certifikojnë asnjë model të Pajisjeve Elektronike Fiskale bazuar në legjislacionin në fuqi, mirëpo këta dy Operatorë Ekonomik e kanë për obligim që t’i përkrahin dhe të kryejnë mirëmbajtjen dhe servisimin e të gjitha Pajisjeve Elektronike Fiskale që janë në përdorim nga tatimpaguesit, të cilat janë instaluar nga ta”, thuhet në përgjigjet e ATK-së.
Kjo e fundit bën me dije gjithashtu se secili nga Operatorët Ekonomik e ka të drejtën e plotë që në çdo kohë të çertifikojë lloje të ndryshme të Pajisjeve Fiskale, të cilat i plotësojnë kushtet teknike dhe funksionale.
Po ashtu, edhe numri dhe lloji i modeleve të Pajisjeve Elektronike Fiskale që mund të certifikohen në ATK nga operatorët ekonomik (OE), është i pakufizuar.
Ndryshe, muaj më parë, Buletini Ekonomik pati bërë një hulumtim të gjatë, me ç’rast kishte gjetur se tregu i arkave fiskale në Kosovë praktikisht kishte qenë i dominuar nga një kompani e vetme.
Bizneset në Kosovë gjatë vitit të kaluar, printerin fiskal mund ta blenin vetëm tek një kompani prej katër sa ishin të licencuara për shitjen e arkave fiskale nga ATK-ja. Këtë ekskluzivitet e kishte pasur vetëm kompania “Enternet”, e cila përveç kësaj, kishte pronarin e njëjtë me kompaninë tjetër të arkave fiskale – “Gekos”.
Hulumtimi i Buletinit Ekonomik pati nxjerrë në pah se prapa kompanisë “Gekos” qëndronte i njëjti pronar që zotëron 100% të aksioneve në kompaninë tjetër të licencuar për shitjen e arkave fiskale, “Enternet”.
Këto dy kompani ‘konkurente’ në tregun e arkave fiskale, ishin pajisur me licencë nga ATK-ja duke pasur pronarin e njëjtë.
Në një përgjigje të mëhershme për Buletinin Ekonomik, ATK-ja kishte pranuar se “Enternet”, ishte e vetmja kompani për shitjen e printerëve fiskal, mirëpo nuk ishte përgjigjur rreth çështjes së pronësisë së përbashkët mes “Gekos” dhe “Enternet”.
Pra, krahas Service Global dhe Enternet, të licencuar për operim me arka fiskale dhe që e kanë të hapur mundësinë për çertifikim të pajisjeve fiskale janë edhe dy kompani tjera: “Dukagjini” dhe “Gekos”.
Çmimet e arkave fiskale mbesin të njëjtat
Sipas ATK-së, në bazë të infomatave që ata kanë, ka pasur ulje të çmimit për disa Pajisje Fiskale, edhe pse thekson se ajo si institucion nuk e përcakton çmimin e pajisjeve fiskale.
“Në bazë të informatave që ne kemi, ka ulje të çmimeve për disa Pajisje Elektronike Fiskale, mirëpo për më shumë lidhur me çmimet, ju lutem drejtohuni te kompanitë përkatëse, pasi që Administrata Tatimore nuk i përcakton çmimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale”, thuhet në përgjigjet e ATK-së.
Mirëpo, në interesimin e Buletinit Ekonomik tek kompanitë përkatëse, çmimi i pajisjeve fiskale është i njëjti sikurse ai i vitit të kaluar.
Në kompaninë ‘Service Global’, Arka S21 (apo arka mobile) kushton 219 euro, ajo statike 270 euro, ndërsa printeri fiskal 435 euro pa TVSH.
Ndërkohë, nëse përfshihet TVSH-ja, abonimi dhe garancioni njëvjeçar nga kjo kompani, atëherë të njëjtat kushtojnë si më poshtë: -Arka S21(arkë mobile) 285 euro, ajo statike (Arka M20) kushton 345 euro dhe Printeri fiskal 540 euro.
Ndërsa për sistemin fiskal të derivateve, çmimi i një pajisjeje të tillë elektronike në këtë kompani është 4 mijë e 71 euro me TVSH, ndërsa pa TVSH -3 mijë e 450 euro. TVSH-ja për këtë pajisje është 621 euro.
Në anën tjetër, në kompaninë tjetër që operon në Kosovë, “Enternet”, një arkë fiskale mobile kushton 239 euro+TVSH-ja, ajo statike kushton 299 euro+TVSH, kurse çmimi i printerit fiskal në këtë kompani, që deri në muajin nëntor kishte pasur monopol për këtë pajisje, është 452 euro+TVSH.
Kujtojmë se dyshimet për monopol dhe si pasojë çmimet e larta të arkave fiskale kanë qenë shqetësim i kahmotshëm i bizneseve kosovare. Ato vazhdojnë të paguajnë çmime marramendëse për t’u pajisur me një arkë fiskale. Arka fiskale më e lirë në treg është 220 euro, ndërsa bizneset duhet të paguajnë edhe për mirëmbajtje 110 euro në vitin e parë dhe 70 në të dytin. /Buletini Ekonomik/











