“200 euro më shumë për metër katror” – Shtrenjtohen banesat në Kosovë

Fotografi ilustruese

Asgjë s’po mbetet pa u shtrenjtuar në Kosovë. Rritjes së çmimeve s’i kanë shpëtuar as materialet ndërtimore. Krahasuar me vitin paraprak, çmimet janë rritur për 60 përqind. Rrjedhimisht është shtrenjtuar edhe çmimi i banesave.

Fatlumë mund të konsiderohen ata që kanë blerë banesa e materiale ndërtimore para se të fillonte lufta në Ukrainë. Me këtë veprim, ata i kanë kursyer vetes mijëra euro.

Tash kur lufta në Ukrainë është në muajin e dytë, ndërtimtarët po përballen me rritje të çmimeve të materialeve ndërtimore.

Reklama e sponzorizuar

Faton Hoxha nga Shoqata e Ndërtimtarëve të Kosovës i ka thënë Gazetës Express se krahasuar me vjet, çmimet janë rritur deri në 60 përqind.

“Çmimet në raport me vitin paraprak janë rritur deri në 60%. Shumica e materialeve të ndërtimit tregtohen në bursa, dhe rritja e çmimit të të njëjtave në bursa botërore ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit te ne”, ka deklaruar Hoxha.

E shtrenjtimi i këtyre materialeve ka ndikuar direkt edhe në rritjen e çmimit të banesave në vend.

Sipas Hoxhës, çmimi për metër katror është rritur në mbi 200 euro.

Mesatarja e çmimit të një metri katror në Prishtinë thotë se tash është 1 mijë e 300 euro.

I pyetur nëse çmimi mund të shkojë akoma më lartë, Hoxha thotë se s’mund ta dinë.

Mesatarja e çmimit të banesave në Prishtinë ka qenë 1070€/m2, tani është diku të 1300€/m2. Sa i përket rritjes së mëtutjeshme të çmimeve, ne nuk e dimë e as nuk mund të ndikojmë në to”, ka thënë Hoxha për Express.

Pas shtrenjtimit të çmimeve, disa edhe po i ndërprenë punimet.

“Ju e dini që punët në ndërtimtari zgjasin edhe me vite. Kështu, kemi kontrata që janë bërë në vitin 2020, kur ta zëmë çmimi i hekurit ka qenë 530 euro për ton, ndërsa tash është 1 mijë e 300 euro për ton. Në këtë situatë, normalisht ose rinegociohen çmimet ose mund të ndërpriten punimet”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka folur edhe për sa kanë shënuar rritje materialet ndërtimore, veç e veç.

“Çmimi i cementit, hekurit e drurit ka shënuar ngritje të madhe. Kështu, nëse marrim për bazë si çmim të fundit atë të datës 22 shkurt, shihet se çmimi i hekurti është rritur për 45 %. Çmimi i cementit, në raport me vitin e kaluar është për 64 % më shumë. Edhe te druri, çmimi tash është për rreth 50 % më i lartë. Normalisht, kjo rrit koston dhe po shkakton mjaft telashe”, ka sqaruar Hoxha.

Ndryshe, Kosova s’është i vetmi vend ku kanë shënuar rritje pasuritë e paluajtshme.

Para disa ditësh u raportua se gjatë muajit mars, kostoja e një apartamenti në Zvicër u rrit mesatarisht me 0.4%, ndërsa shtëpitë e një familjeje panë rritje të çmimit me 0.5%

Konkretisht, metri katror i një apartamenti kushton 8192 franga, kurse ai i një shtëpie 7277 franga.