Pse nuk ka urgjencë për ndërtimin e kapaciteteve elektroenergjetike në Kosovë?

Mehmet Gjata

Kosova nuk e ka akoma të saktësuar çështjen e potencialeve të mundshme për të pasur energji të rinovueshme. Ca si shumë edhe nga ekspertët, theksojnë se nuk ka shumë potenciale për energji të ripërtëritshme, madje, sipas tyre, ato janë të limituara tani për tani. Në anën tjetër, qoftë ndër ekspertë, qoftë ndër njohës të zhvillimeve energjetike, jo pak veta mendojnë se Kosova ka potenciale jo të pakta për të pasur goxha shumë energji të ripërtëritshme.

Mehmet GJATA

Një lajm i këtyre ditëve që erdhi nga Mali i Zi fqinj, që njoftonte se së shpejti do të nisin punët për rindërtimin e termocentralit ‘Pljevlja’ të këtij vendi, i ka bërë domosdo kureshtar njohësit e zhvillimeve energjetike të Kosovës, komunitetin energjetik mbarë, por edhe konsumatorët, qytetarët e vendit tonë.

Reklama e sponzorizuar

Në informacionin e plasuar në shumicën e portaleve të vendit dhe të bërë fillimisht publik nga balkangreenenergynews, thuhej se “Ndërmarrja shtetërore e energjisë elektrike e Malit të Zi, “Elektroprivreda Crne Gore” (EPCG), ka përfunduar të gjitha përgatitjet për rindërtimin ekologjik të termocentralit ‘Pljevlja’ dhe ka shpallur fillimin zyrtar për fund të prillit. Raportohej se ndonëse përgatitjet për rindërtimin ekologjik të termocentralit të qymyrit ‘Pljevlja’ zyrtarisht kanë filluar në janar të vitit 2018, në një pikë, ishte e paqartë nëse termocentrali do të modernizohet dhe nëse do t’i zgjatet jetëgjatësia e operimit apo do të ndalet prodhimi.

Kontrata në vlerë 54 milionë euro për rindërtimin, ishte nënshkruar në qershor të 2020-s me konsorciumin ‘DEC International-Bemax-BB Solar-Permonte’.

Puna për rindërtimin ekologjik të TC ‘Pljevlja’ do të fillojë më 11 prill. Fillimi zyrtar do të bëhet më 27 prill, ka thënë Nikola Rovçanin, drejtori ekzekutiv i EPCG, ka raportuar Agjencia Mina. Rovçanin shpjegoi se kontrata për rindërtimin ekologjik ishte ndryshuar, gjë që do t’i kushtonte kompanisë 15 milionë euro shtesë. Sipas tij, TC ‘Pljevlja’ ka shepnzuar orët e lejuara të operimit nga regjimi i përjashtimit i parashikuar nga Direktiva e BE-së për impiantet e mëdha me djegie (LCPD). Prandaj, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë filloi një procedurë kundërvajtëse kundër Malit të Zi.

EPCG pret një rezultat pozitiv pasi që ka marrë të gjitha matjet dhe hapat e mundshëm në kuptim të rindërtimit mjedisor dhe plotësimin e standardeve të BE-së për emetime të azotit dhe oksidit të sulfurit, si dhe grimcat, tha Rovçanin në një tryezë të rrumbullakët mbi implikimet e politikave të BE-së dhe zhvillimet e tregut në Mal të Zi, organizuar nga OJQ-ja ‘Eko-ekip’.

TEC ‘Pljevlja’, një nga pesë termocentralet nën mekanizmin e përjashtimit në rajon, përdori 20,000 orët e tij të funksionimit në fund të 2020-s. Deri atëherë, ai nuk ishte modernizuar, kështu që duhej të mbyllej, por kjo nuk ndodhi.

TEC ‘Pljevlja’ siguron 40% të prodhimit të energjisë elektrike në Mal të Zi, kështu që mbyllja e tij do të rrezikonte sigurinë e furnizimit të vendit. Lajmi, sado që nuk e sqaron fare si do të jetë TC-ja e pritshme ekologjike (a do të jetë sërish në bazë të qymyrit, apo të gazit…), ia zgjoi jo pak kureshtjen edhe autorit të këtij teksti duke e vënë në sprova të shumta medituese: Si ka mundësi një shtet kaq i vogël të jetë kaq kërkues dhe ngulmues dhe kaq i vendosur për të ndërtuar një termocentral që ka vite që gjendet nën mekanizmin e përjashtimit në rajon, që i ka shpenzuar 20,000 orët e tij të funksionimit që në fund të 2020-tës, që duhej të mbyllej por që kjo nuk ndodhi? Pse nuk jemi edhe ne të vendosur dhe kërkues për ta bindur bashkësinë ndërkombëtare se kemi nevojë urgjente për një termocentral të ri në bazë të qymyrit, ose për rindërtimin e pjesshëm të termocentraleve “Kosova A”, aq të ngjashme më TC në Plevla, përkundër faktit që bota energjetike dhe asociacionet kompetente energjetike kanë shpallur “të dënuar” tash e tutje, qymyrin si burim të prodhimit të rrymës?

Edhe zyrtarët e KEK-ut dhe autoritetet qeveritare kaherë e kanë menduar si mundësi zgjatjen e jetës së disa blloqeve të TC “Kosova A”, por ende ka shumë drojë, edhe frikë, madje edhe dilema nga reagimi i komunitetit energjetik të botës, përkundër faktit se një impiant energjetik, qoftë i ri, qoftë i rindërtuar, Kosovës i nevojitet si buka e kripa. Madje, edhe në rrethanat më optimiste të mundësisë së ndërtimit të kapaciteteve të pritshme të energjisë së rinovueshme, një kapacitet i ri energjetik, ose rindërtmi i tri blloqeve të Kosovës A (A3, A4 dhe A5), siç është përfolur edhe në nivele zyrtare disa herë së fundi, do të siguronte goxha sasi të energjisë elektrike dhe thuaja të bollshme deri më 2050-tën, kur parashihet që definitivisht të ndalet djegja e qymyrit si burim energjetik, është thuaja i domosdoshëm.

Dhe nuk është se nuk e kanë ditur vendimmarrësit kosovarë të zhvillimeve energjetike këtë rrjedhë, sikundër që deri në detaje janë të informuar për mungesë të energjisë për të përmbushur nevojat e konsumit të vendit si dhe për mungesë të impanteve prodhuese. I madh dhe i vogël në Kosovë tashmë e di se vendit kaherë i mungon nja kapacitet serioz dhe  efektshëm i prodhimit të energjisë në bazë të qymyrit dhe shumë kapacitete të energjisë së rinovueshme.

Deri në inaugurimin e Parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatësh, Kosova kishte fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme, ose gjithsej diçka mbi 110 megavat-orë energji efektive. Dhe ç’është më keq, Kosova nuk e ka akoma të saktësuar çështjen e potencialeve të mundshme për të pasur energji të rinovueshme.

Lexo edhe:

“Energjia me erë është potenciali më i rëndësishëm ekonomik që duhet ta shfrytëzojë Kosova”

Ca si shumë edhe nga ekspertët, theksojnë se nuk ka shumë potenciale për energji të ripërtëritshme. Potencialet e Kosovës për energji të rinovueshme janë të limituara tani për tani, sepse kemi fare pak ujë dhe pak lumenj. Pra, nuk ka shumë mundësi për ndonjë hidrocentral që mund ta përmendësh fuqinë e tij prodhuese dhe domethënien e tij për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe të konsumit tonë në rritje.

Kosova e vogël si territor ka fare pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar, të madh dhe të efektshëm për nga sasia për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik. Projekti i paralajmëruar me emërtimin “Solar4Kosova”, nëse vërtetë do të ndodhë, do t’i vë në provë potencialet tona për këtë lloj të energjisë. Do të saktësojë mundësitë reale për energji në bazë të diellit dhe do të tregojë sa mund ta kompenzojë energjia solare që ka mundësi të prodhohet në të gjitha vendet potencialisht të favorshme, energjinë e munguar.

Sipas ekspertëve, Kosova nuk është që nuk ka mundësi relativisht të favorshme për energji solare. Sipas tyre, në të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private, apo janë të rrafshta, mund të instalohen panele solare.

Kosova ka edhe shumë toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim, si p.sh., hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut. Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, si dhe në hapësirat përgjatë autostradave, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare nga dielli, pra energji solare.

Pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden, ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MW. Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.

Mirëpo, në anën tjetër, qoftë ndër ekspertë, qoftë ndër njohës të zhvillimeve energjetike, jo pak veta mendojnë se Kosova ka potenciale për të pasur goxha shumë energji të ripërtëritshme. Besfort Kosova, njohës i zhvillimeve në fushën e energjisë së gjelbër dhe hulumtues në ‘Ballkan Green Foundation’, në një intervistë për Buletinin Ekonomik, thotë se sipas përllogaritjeve të përafërta, sasia e prodhimit të energjisë së rinovueshme, nëse do të shfrytëzoheshin të gjitha potencialet, mund të arrijë në rreth 3600 GWh (i përafërt me prodhimin mesatar vjetor të TC ‘Kosova B’).

Sido që të jetë, Kosovës i duhet energjia elektrike e munguar. Dhe pikërisht për shkak të nevojave urgjente që ka vendi për energji, duhet të vendoset urgjentisht ndërtimi i një kapaciteti energjetik fare ekologjik në bazë të qymyrit, apo rindërtimi i A-së, po ashtu, sipas standardeve që aplikon dhe kërkon komuniteti ndërkombëtar energjetik, BE-ja dhe bota mbarë, ose të nisë urgjentisht, pa humbur asnjë minutë kohë, ndërtimi i më shumë kapaciteteve të energjisë së rinovueshme (në bazë të erës dhe të diellit), që t’i kemi sa më shpejt në prodhim. Vetëm kështu mund ta eliminojmë importin me çmime stratosferike që është dhe do të vazhdon të jetë “gur në qafë”, për Kosovën e lodhur financiarisht dhe të varfëruar nga mospasja e energjisë së bollshme tani e sa vjet.

Më shumë:

Luan Shllaku: Ndërtimi i termocentralit me linjit është anakronik

Dhe, edhe në këtë gjendje ku ka shumë varfëri, Kosova mund të ndërtojë këto kapacitete aq të kërkuara dhe aq të nevojshme. Kur mund të ndërtojë TC një Mal i Zi fare i vogël dhe ekonomikisht pak a shumë me gjendjen tonë, pse ne mos të mundemi?

Kosova ndërtoi autostradat edhe shumë më të kushtueshme se sa një impiant elektroenergjetik, qoftë nga qymyri që e kemi te dera dhe në sipërfaqe, qoftë më shumë sish të energjisë së rinovueshme. Duhet bërë projekte të mira, atraktive dhe kuptimplota për t’i bindur asociacionet monetare ndërkombëtare për të na i huazuar paratë e kërkuara, ose në të kundërtën, duhet nisur sa më shpejt me paranë tonë, siç i ndërtuam autostradat e shtrenjta. Ndryshe, do të harxhojmë shumë para duke blerë vazhdimisht energji elektrike të kushtueshme. S’ka alternativa të tjera. S’është alternativë as heshtja dhe pritja kaq e gjatë, madje e stërzgjatur e qeverisë aktuale, dikastereve përkatëse të saj, për të vendosur për ndërtimin e këtyre kapaciteteve, rindërtimin e atyre ekzistuese, apo për ndërtimin e impianteve të reja të energjisë së rinovueshme. /Buletini Ekonomik/