Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve I.A., dhe Sh.B., të cilët me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Mashtrimi”, “Keqpërdorimi i besimit” dhe “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri I.A., më 17 Nëntor 2021, në kohë të pacaktuar, në Ferizaj, përkatësisht në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), me dashje dhe qëllim që vetes të i sjell dobi pasurore të kundërligjshme kishte keqpërdor besimin duke mos përmbushur detyrimet e pozitës së menaxherit të BKT-së- dega Pejton në Prishtinë, me këtë kishte për të kryer veprën penale “Keqpërdorimi i besimit” nga neni 330 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu, ndaj të pandehurve I.A., dhe Sh.B., ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 17 Nëntor 2021, në Ferizaj, përkatësisht në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), në bashkëkryerje me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten, i pandehuri Sh.B., me anë të paraqitjes së rreme si klient, me dashje kanë sjell në lajthim zyrtarët e BKT-Dega në Ferizaj, duke nxitur që të kryejnë veprim në dëm të pasurisë së të dëmtuarit D.G., në atë mënyrë që pas marrveshjes paraprake me të pandehurin I.A., njëherit menaxher në BKT-dega në Pejton, i cili duke mos verifikuar fare personin e thirrur në emrin e klientit D.G., është i vërteti, bisedon në telefon me homologun e BKT-Dega në Ferizaj dhe i rekomandon nënpunëses së tij që të shkruaj një e-mail degës në Ferizaj lidhur me atë që klienti do të vijë pasdite për tërheqjen e shumës prej nëntëdhjetë e pesë mijë (95,000) euro, ashtu që i pandehuri Sh.B., ka shkuar në ditën kritike dhe ka tërhequr shumën e parave të lartëcekura.
Me këtë në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).Po ashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë,për të pandehurin Sh.B., ekziston dyshimi i arsyeshëm se më 17 Nëntor 2021, në Ferizaj, përkatësisht në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo ndonjë person tjetër, me dashje dhe pa autorizim, ka nënshkruar në vend të klientit tani të dëmtuarit D.G., për tërheqjen e shumës prej nëntëdhjetë e pesë mijë (95,000) euro, me këtë kishe për të kryer veprën penale “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 391 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).