Qeveria ka ndryshuar emrat e të propozuarve për anëtarë të Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Në vendimin e marrë sot është propozuar Neime Binaku Isufi në vend të Hekuran Nikqit, kurse në vend të Shpend Miftarit është zëvendësuar Violeta Blakaj Spaçi.
Më 9 mars, qeveria ia kishte propozuar kuvendit emrat për kryetar dhe anëtarë të Komisionit të AKK-së.
Hekuran Nikqi ishte propozuar për kryetar; Kaltrina Sela për zëvendëskryetare ndërsa Shpend Miftari, Besnik Stublla dhe Nafie Nosdautaj ishin propozuar për anëtarë të këtij Komisioni.
Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, kryetari, zëvendëskryetari dhe anëtarët e Komisionit Kosovar të Konkurrencës propozohen nga Qeveria dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës.
Që nga muaji qershor i vitit të kaluar kur ka përfunduar mandati i kryetarit dhe komisionit të kaluar, AKK nuk e ka këtë trup funksional.
Mandati themelor i AKK-së është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe kjo nënkupton që AKK vepron kur cenohet, pengohet ose shtrembërohet konkurrenca në treg.