Mercedes-Benz (MBGn.DE) synon të prodhojë automjete elektrike që konsumojnë vetëm 10 kilovat/orë energji për 100 km – tha të enjten Markus Schaefer, (chief technology_ officer i kompanisë.
Kjo pritet të jetë një e treta më efikase se mesatarja aktuale për makina elektrike.
Duke folur ndërkohë që shtëpia automobilistike festoi suksesin e test drive të prototipit të automjetit të saj EQXX në më shumë se 1000 km, nga Sindelfingen në Gjermani në Cote d’Azur në Francë, në një rikarikim të vetëm, Markus Schaefer tha se sistemi i projektimit eficient është çelësi për të rritur autonominë e një makine elektrike.
“Së pari duhet të përmirësojmë eficiencën dhe më pas mund të shohim se sa module baterie të vendosim në makinë”, – tha Schaefer para gazetarëve. Ai shtoi se klientët duhet të jenë në gjendje të vendosin për përmasat e baterisë që duan në bazë të nevojave të tyre.
Shtëpitë automobilistike, nga Mercedes-Benz (MBGn.DE) te Tesla (TSLA.O) e deri tek ajo kineze Nio, janë në një garë të ethshme për të prodhuar automjete me më shumë autonomi, të cilat të largojnë ankthin te konsumatorët, për shkak të mungesës së infrastrukturës së gjerë të rikarikimit për automjetet elektrike.
Mercedes e zbuloi prototipin e tij Vision EQXX, me autonomi 1000 km dhe me bateri sa gjysma e vëllimit të modelit kryesor EQS, në janar, duke premtuar se disa elemente të makinës do të bëhen pjesë e automjeteve në harkun e dy-tre viteve.
Makina shpenzoi 8.7 kilovat/orë energji për 100 km në udhëtimin e saj 11 orë e gjysmë drejt Francës, tha Mercedes-Benz, rreth dy herë më efikase se modelet e Mercedes në treg dhe makinës me autonomi më të madhe të Tesla, Modeli S 60.
Modeli EQS i Mercedes ka autonominë më të madhe në treg deri më tani, sipas portalit të krahasimit të makinave carwow, me 768 km, ndjekur nga Model S Long Range i Tesla, me deri në 652 km. /Reuters/