Pavarësisht se u bë jo pak zhurmë, kërkesa nga zyrtarë të ndryshëm, nga parti dhe deputetë opozitarë sidomos, dhe shumë të tjerë kosovarë më të njohur dhe më pak të njohur, sish të rëndomtë, që të zbatohet urdhëri i Gjykatës Themelore, ZRRE-ja u tregua dhe u dëshmua më e fuqishme se vet Gjykata, prandaj konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë edhe këtë muaj janë faturuar me çmime të rritura.
Mehmet GJATA
Në Kosovë, fare rrallë, për të mos thënë asnjëherë, shumë institucione shtetërore që radhiten te të fuqshmet, ata që në një mënyrë apo tjetrën kanë monopolin e punëve dhe shërbimeve, i kanë zbatuar vendimet e urdhërat e gjykatave.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), që funksionin primar do të duhej ta kishte mbrojtjen e interesave të konsumatorit kosovar dhe rregullimin e raporteve të konsumatorëve me distributorët dhe tregtarët e tjerë të energjisë elektrike, nuk e zbatoi edhe tani urdhrin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës – të ndërmarrë nga nga vetë ai.
Pra, tani pavarësisht se u bë jo pak zhurmë, kërkesa nga zyrtarë të ndryshëm, nga parti dhe deputetë opozitarë sidomos, dhe shumë të tjerë kosovarë më të njohur dhe më pak të njohur, sish të rëndomtë, që të zbatohet urdhëri i Gjykatës, ZRRE-ja u tregua dhe u dëshmua më e fuqishme se Gjykata, prandaj konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë edhe këtë muaj janë faturuar me çmime të rritura.
Dhe pavarësisht ankesave të shumta, tashmë të përsëritura se faturat kanë ardhur me shifra të papërballueshme për shumicën e kosovarëve, ata detyrimisht duhet të paguajnë, të gjejnë paratë domosdoshmërisht edhe duke i huazuar ato si të dinë dhe si të munden, duke u ngarkuar me kredi familjare me kamata të ngritura nga bankat komerciale, që domosdo duan ta shfrytëzojnë momentin, ose në të kundërtën, do t’u ndërpritet rryma dhe do të mbesin në terr derisa t’i gjejnë paratë e kërkuara.
Do të bëjë përpjekje që shkurtimisht dhe sa më besnikërisht ta paraqes në këtë tekst kronologjinë e zhvillimit të ecurive rreth kësaj çështjeje, që nëse dëgjohet fjala e juristëve, po bëhet problem jo pak i ndjeshëm, sepse nuk është aq e thjeshtë refuzimi i vendimeve të gjykatave, edhe nga të fortët.
Siç dihet, Gjykata Themelore ka marrë vendimin për pezullim më 9 prill, dy muaj pas hyrjes në fuqi të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.
Procesi ka nisur në gjykatë pas padisë së ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës, me qëndrimin e prerë të këtij subjekti politik se shtrenjtimi i rrymës “është i kundërligjshëm”. Dhe, sado që procesi gjyqësor vazhdon ende, deri në një vendim përfundimtar, sipas gjykatës, faturat me rritje duhet të pezullohen.
Mirëpo, sipas ZRRE-së, që në këta tre-katër muajt e fundit është bërë institucioni më i diskutueshëm, por edhe goxha i urryer ndër kosovarë, në bazë të Ligjit për konfliktet administrative, “aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”.
Neni 66 i këtij Ligji, në të cilin po bazohet ZRRE-ja, thotë se “vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”.
Ndërsa, rreth këtij interpretimi të ZRRE-së, juristët në zë të Kosovës, ndër ta edhe Ehat Miftaraj nga Instituti për Drejtësi të Kosovës, mendojnë krejt ndryshe. Sipas tyre, ZRRE-ja është duke e interpretuar gabimisht këtë nen.
“Qëllimi i masës së sigurisë, në këtë rast masës së përkohshme [apo vendimit për pezullim] që ka marrë gjykata, është që të parandalohet një dëm apo pasojë që mund të shkaktohet. Nuk do të kishte kuptim kjo masë, nëse nuk do të ishte obligative apo e ekzekutueshme për organet administrative, në këtë rast për ZRRE-në”, u ka thënë Miftaraj mediave kosovare.
Sipas tij, neni 66, në të cilin thirret ZRRE-ja, është për aktgjykime që merren në bazë të meritës, pra janë finale.
“Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është e obliguar që në mënyrë të padiskutueshme ta zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e pezullon ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës”, janë decidivë edhe shumë juristë dhe avokatë të tjerë.
Sidoqoftë, ZRRE-ja, as që ka denjua të presë epilogun e ankimimit në Gjykatën e Apelit për këtë rast. Thjesht, kanë theksuar për mediat se janë duke pritur vendimin që mund të marrë Apeli dhe pastaj do të veprojnë në përputhje me të. Dhe, se deri atëherë nuk do të ndryshojë mënyra e faturimit, kanë paralajmëruar nga ZRRE-ja. Që do të thotë, pak a shumë, “ne po e bëjmë tonën” dhe Apeli të merr çfarëdo vendimi më pastaj.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, kishte ngritur çmimin e rrymës më 8 shkurt, dhe sipas tyre, faturat me rritje çmimi do të jenë të vlefshme deri më 31 mars 2023.
Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Ata paguajnë 12.5 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta, ndërsa 5.9 centë gjatë tarifave të ulëta.
Dhe, megjithë këto rivalitete, ZRRE-gjykata e subjekte politike opozitare dhe akuza e kundër-akuza të dëgjuara e të shpërfaqura edhe publikisht, sidomos nga përfaqësuesit e opozitës, rreth ligjshmërisë së ngritjes së çmimit të rrymës, akoma asgjë nuk ka përfunduar.
Madje, “armiqësia” ndërmjet këtyre palëve, fitohet përshtypja, se do të zgjasë edhe më tej.
Sepse, Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka nisur betejën ligjore kundër vendimit për shtrenjtimin e rrymës, ka dorëzuar të premten në Prokurorinë Speciale të Kosovës kallëzim penal ndaj anëtarëve të bordit të ZRRE-së.
Sipas sqarimit të dhënë nga ky subjekt, kallëzimi penal është ngritur për shkak të “moszbatimit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për pezullimin e zbatimit të vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike”.
Sipas PDK-së, baza ligjore në të cilën thirret ZRRE-ja, është e paqëndrueshme.
Kësisoji, të dy palët thirren në ligjshmërinë, që sipas opozitës dhe PDK-së, ndër më e zëshmja që faturat me rritje duhet të pezullohen, nëse ZRRE-ja nuk e zbaton vendimin e gjykatës për pezullim, ajo do të bëjë shkelje ligjore, ndërsa sipas ZRRE-së “vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, dhe kurrgjë kurrkujt.
Konsumatorët, u bë apo nuk u bë shkelje ligjore, mbesin të zhgënjyerit dhe ata duhet të paguajnë energjinë elektrike me çmime enorme, të papërballueshme për shumë nga ta.
Por, e diskutueshme dhe goxha e paqartë mbetet edhe dilema jo e vogël te publiku, se kush në këtë rast, ka vërtetë të drejtë dhe nga anon ligjshmëria.
Sepse, të dyja palët, edhe vendimmarrësit edhe ankimuesit dhe akuzuesit, thirren në ligjshmëri, me ç’rast shihet se janë përgatitur goxha shumë në përballjet e tyre dhe në shpërfaqjen e “së vërtetës” para opinionit.
Kanë konsultuar, me gjasë edhe ligje e ligje, kanë angazhuar avokatë e njerëz të tjerë të ligjit, për të qenë sa më bindës në shpjegimet e tyre.
“ZRRE-ja duhet menjëherë, nga dita e pranimit të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, ta zbatojë të njëjtin. Dhe, pavarësisht se a do të bëjë ankesë apo jo, zbatimi i këtij vendimi është i detyrueshëm, sepse është vendim gjyqësor. Moszbatimi i tij përbën edhe vepër penale”, kanë këmbëngulur mbrojtësit e pretendimeve të ankimuesve.
“Përderisa kjo çështje, pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm”, thuhet në një deklaratë të ZRRE-së për mediet.
Njëra palë, domosdo, duhet të ketë të drejtën legjitime dhe ligjore në interpretimet e tyre. Se cila është ajo, mbetet të shihet pas pagesës që do ta bëjnë konsumatorët për faturat e këtij muaji, që gjithsesi, do t’i ndiejnë në xhepat e tyre. Por, tani për tani, fitues del të jetë vetëm ZRRE-ja. /Buletini Ekonomik/