Në Kosovë së shpejti hapet edhe një bankë, BQK i jep licencën

Aktualisht në tregun e Kosovës operojnë 10 banka të ndryshme komerciale. Por, ky numër pritet të rritet. Në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), kanë treguar se aktualisht kërkesa për hapje të një banke është miratuar.

Edhe një bankë e re shumë shpejt do të hapet në territorin e Kosovës. Kërkesa e saj është shqyrtuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK).

Bëhet fjalë për një bankë më pronar dhe investitor të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Për hapjen e kësaj banke kanë folur edhe në BQK për Monitor.al, duke treguar se licenca e parë i është dhënë.

“Ju njoftoj se me Vendimin NR. 26 – 10/2022 të Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, subjektit “Pribank” i është miratuar paraprakisht kërkesa për licencim si bankë”, ka thënë zëdhënësi i BQK-së, Kushtrim Ahmeti.

Ai tutje ka treguar se ky subjekt bankar duhet tani t’i plotësojë edhe disa kërkesa të parapara me ligj.

“Subjekti “Pribank” obligohet që t’i përmbushë kërkesat e përcaktuara me Nenin 8, paragrafët 5 dhe 6, të Ligjit Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare dhe Rregullores për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja, para se të aplikojë për licencë përfundimtare”.

Kjo bankë është regjistruar tashmë  edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve me emrin “Pribank”

Banka në ARBK është regjistruar në emrin e Fatos Krasniqit. Kjo bankë është investim i tri kompanive dhe do të ketë kapital 8 milionë euro.

Kompania e Sigurimeve “Prisig” ka 33 për qind të aksioneve apo 2 milionë e 640 mijë euro.

Aksionar tjetër me 34 për qind të aksioneve është edhe kompania “Model Slovenia Invest me 2 milionë e 720 mijë euro.

Po ashtu, 33 për qind të aksioneve do t’i ketë edhe kompania “Model Slovenia”.

Në Kosovë operojnë dhjetë banka komerciale dhe 23 institucione mikrofinanciare.

Produktet dhe shërbimet e tyre përfshijnë llogaritë bankare, kreditë, pagesa vendore dhe ndërkombëtare, kartela bankare, garanci bankare, letër kredi, e-banking./ F.Shala