Mbi 97 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet, ku çdo i dyti qytetar ka blerë online së paku një herë brenda një viti.
Kështu thuhet në Raportin Evropian të Tregtisë Online, ku krahasuar me vendet e CEFTA-së, Kosova ka përqindjen më të madhe të përdoruesve të internetit në Evropë.
Pas Kosovës me 84 për qind është Maqedonia e Veriut, ndjekur nga Serbia me 80 për qind, Mali i Zi me 79 për qind dhe e fundit Bosnja e Hercegovina me 74 për qind.
Për sa i përket tregtisë online, në Kosovë çdo i dyti qytetarë ka blerë në internet, pra 48 për qind, kurse për një periudhë tremujore kjo blerje është 37 për qind.
Blerje të lartë, brenda një viti, e ka edhe Serbia me 48 për qind, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 40 për qind, Bosnja e Hercegovina me 38 për qind dhe Mali i Zi me 29 për qind.
Në pyetjen se, sa shpesh bleni online, ky raport tregon se 16 për qind e qytetarëve të Kosovës blejnë deri në 2 herë, 15 për qind deri në 5 herë dhe 3 për qind janë ata që blejnë deri në 10 herë.
Qytetarët e vendeve të CEFTA-së zakonisht harxhojnë deri 50 euro për çdo blerje. Për kosovarët, kjo shumë është 40 për qind, deri në 500 euro është 22 për qind, kurse rreth 1,000 euro është vetëm 2 për qind.
Në fund, raporti tregon se 98 për qind e qytetarëve në Kosovë blejnë online nga shitësit vendor. Vetëm 8 për qind e tyre thonë se blejnë nga shitësit e vendeve jo-evropiane, 5 për qind nga shitësit në të gjithë botën, 4 për qind nga shitësit brenda vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa vetëm 1 për qind nga ato vende jo të specifikuara.