Rizvanolli prezanton 5 objektivat strategjike të Strategjisë së Energjisë 2022-2030

Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar dje 5 objektivat kryesore strategjike dhe specifike të Strategjisë së Energjisë 2022-2030.

Këtë prezantim, Rizvanolli e ka bërë së bashku me përfaqësues të Kabinetit dhe Departamentit të Energjisë në ME, në takimin e fundit konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile, para se drafti i Strategjisë së Energjisë 2022 – 2031 të shkojë për konsultime brenda Qeverisë, e më pas në konsultime publike.

Gjatë diskutimit, ministrja Rizvanolli tha se 5 objektivat strategjike dhe specifike të strategjisë, përfshijnë:

Reklama e sponzorizuar
  1. Përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së sistemit ekeltroenergjetik;
  2. Dekarbonizimin dhe promovimin e energjisë së ripërtërishme;
  3. Rritjen e efiçiencës së energjisë;
  4. Forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe funksionimin e tregut, si dhe
  5. Mbrojtjen dhe fuqizimin e konsumatorëve.

Strategjia e Energjisë 2022 – 2031, e cila është duke u hartuar nga ME, është strategjia e parë e energjisë e cila nuk parasheh linjit të ri, parasheh taksën e karbonit dhe parasheh targeta ambiciozë për energji të ripërtërishme, veçanërisht të diellit dhe të erës, përcjell Buletini Ekonomik.

Gjatë këtij takimi, është hapur diskutimi edhe me përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre gjatë vitit të fundit përgjatë procesit të hartimit të këtij drafti.

Ministria e Ekonomisë ka njoftuar gjithashtu se komentet dhe sugjerimet si nga shoqëria civile si nga të gjitha palët e interesit, do të pranohen edhe gjatë fazës së konsultimeve publike, e cila pritet të fillojë gjatë javës së ardhshme.

“Synimet e prezantuara sot dhe që paraqet vetë Strategjia, janë të fokusuara në garantimin e sigurisë së furnizimit, përballueshmërinë për konsumatorin si dhe përkushtimin afatgjatë të Republikës së Kosovës drejt dekarbonizmit”, thuhet në një njoftim për media nga ME. /Buletini Ekonomik/