Diploma në Menaxhim Biznesi. Nuk e arrijnë këtë duke rritur shitjet, investimet apo produktivitetin
Shkolla e biznesit në Harvard deklaron shpesh se synimi i saj është që të diplomuarit e fakultetit të kenë “ndikim jetëgjatë” në shoqëri. INSEAD i nxit të diplomuarit që “të drejtojnë biznesin, si një forcë në të mirë të të tjerëve”.
Nëse fjalë të tilla frymëzuese do të ishin të vërteta, një student i zakonshëm që nis studimet për menaxhim biznesi, do t’i përfundonte ato si një njeri me parime dhe virtyte të larta.
Por pretendime të tilla kanë qenë gjithmonë të fryra. Një studim i ri nga Daron Acemoglu, Alex He dhe Daniel le Maire, një treshe ekonomistësh, e tregon këtë me shifra konkrete, shkruan The Economist.
Në studim, autorët vëzhguan shefat e sapoemëruar të kompanive në Amerikë dhe Danimarkë. Ata zbuluan se shefat me një diplomë master në menaxhim biznesi, në pesë vitet pas emërimit të tyre, i rrisnin kthimet në asete, me një total prej 3 pikë përqindje mesatarisht në Amerikë dhe 1.5 pikë përqindje në Danimarkë.
Por kjo nuk ndodh për shkak se ata rrisin shitjet, investimet apo produktivitetin në kompani. Përkundrazi, kthimet më të larta të fitimeve, janë rezultat i uljes së pagave të punëtorëve, të cilat bien me 6% në Amerikë dhe 3% në Danimarkë, gjatë pesë viteve pasi merr detyrën një shef i diplomuar për menaxhim biznesi.
E thënë shkurt, emërimi i të diplomuarve në menaxhim biznesi nëpër poste të larta, duket se rrit vlerën e aksionerëve duke e prerë tortën në mënyra të tjera, jo duke e bërë atë më të madhe.
Studiuesit e lidhën këtë dukuri me ndryshimet në programet e shkollave të biznesit. Programet për menaxhim biznesi, thotë zoti He, me kalimin e viteve, janë përqendruar më pak në aspektet teknike të financës dhe menaxhimit, dhe janë fiksuar pas maksimizimit të vlerës së aksionerëve. Si rezultat, punëtorët e kompanive po shihen gjithnjë e më tepër si “kosto për t’u reduktuar” dhe jo si një investim në kapitalin njerëzor.
Sigurisht, mund të pretendojmë edhe se njerëzit që duan të studiojnë për menaxhim biznesi, janë thjesht më të rreptë dhe më të pamëshirshëm se zotëruesit e diplomave të tjera.
Por shpjegimi mund të mos jetë kaq i thjeshtë. Shefat e kompanive që morën diplomën pas vitit 1980, kishin më shumë gjasa të kufizonin numrin e punëtorëve sesa të diplomuarit në vitet e mëparshme në fushën menaxhim biznesi.
Nëse atmosfera e atëhershme e punësimit që përgjithësisht ishte miqësore ndaj aksionerëve, do të ishte shpjegimi i vetëm për këtë ndryshim midis brezave, atëherë ajo do të ndikonte njëlloj si tek të diplomuarit për menaxhim biznesi, ashtu edhe tek të tjerët që nuk ishin diplomuar në këtë fushë.
Studimi tregon se nuk ndodh kështu. Sidoqoftë, do të nevojiteshin më tepër studime për të ditur nëse module mësimore si “Riimagjinimi i Kapitalizmit” (në Harvard) dhe “Biznesi dhe Shoqëria” (në INSEAD) kanë ndikuar për të ndryshuar këtë prirje.