Inflacioni në Turqi arrin në 73.5% në maj, më i larti që nga viti 1998

Lira turke

Norma vjetore e inflacionit në Turqi arriti nivelin më të lartë 24 vjeçar, në 73.5% në muajin maj, i ndikuar nga lufta në Ukrainë, rritja e çmimeve të energjisë dhe nga rënia e monedhës vendase (lira).

Inflacioni është rritur që nga vjeshta e kaluar, kur lira ra pasi banka qendrore nisi një cikël lehtësimi prej 500 pikësh bazë të kërkuar nga Presidenti Tajip Erdogan.

Shifra e fundit tejkaloi nivelin prej 73.2% të regjistruar në vitin 2002 dhe është më e larta që nga tetori 1998, kur inflacioni vjetor ishte 76.6% dhe Turqia po luftonte për t’i dhënë fund një dekade inflacioni të lartë kronik.

Reklama e sponzorizuar

Çmimet e konsumit në maj u rritën me 2.98%, tha të premten Instituti i Statistikave Turke (TUIK).

Kostot e transportit dhe ushqimit janë rritur përkatësisht me 108% dhe 92% gjatë vitit të kaluar, duke reflektuar një krizë ekonomike për turqit që luftojnë për të përballuar blerjet e produkteve bazë. Indeksi i çmimeve të prodhimit vendas u rrit me 8.76% në maj, me një rritje vjetore prej 132.16%.

Lira u dobësua me 0.25% në 16.5050 kundrejt dollarit duke prekur nivelin më të ulët që nga dhjetori. Monedha vendase ra 44% në vitin 2021 dhe 20% të tjera këtë vit.

Deficiti tregtar u zgjerua 157% nga viti në vit në maj në 10.7 miliardë dollarë, kryesisht për shkak të importeve të energjisë. Banka qendrore parashikon një inflacion njëshifror deri në fund të vitit 2024.

Ekonomistët vlerësojnë se inflacioni do të mbetet i lartë edhe për pjesën tjetër të vitit 2022 dhe e mbyll vitin në 63%, bazuar në një vlerësim mesatar, nga 52% në sondazhin e muajit të kaluar. /Reuters/