Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të vizitojë Turqinë të mërkurën për bisedime që përfshijnë krijimin e një korridori në Detin e Zi për të lejuar drithin ukrainas të hyjë në tregjet botërore, ndërsa çmimet globale të artikujve ushqimorë vazhdojnë të rriten. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, bisedimet vijnë pasi Ankaraja përballet me presion për të hapur Detin e Zi për anijet e NATO-s për të thyer bllokadën e Rusisë ndaj Ukrainës.
Jo shumë kohë më parë, anijet që lundronin përmes Bosforit e që transportonin grurë nga Ukraina për në tregjet globale, ishin një pamje e zakonshme. Por jo më. Me bllokadën detare që Rusia i ka bërë Ukrainës – furnizuesi i pestë më i madh i drithit në botë – çmimet po arrijnë nivele rekord, duke kërcënuar trazira.
“Libani në vitin 2020, importonte 75% të grurit nga Ukraina. Dhe, nëse do të shkosh të blesh grurë tani, kushton shtrenjtë dhe ndoshta nuk do ta gjesh në treg. Pra, në një vend si Libani, ku tashmë ka një krizë financiare, mungesa e grurit mund të sjellë një krizë të madhe”, thotë analisti gjeopolitik Yoruk Isik.
Kërcënimi i një krize globale ushqimore po bën që disa vende të NATO-s të ndërhyjnë.
Diskutimet mes ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov dhe zyrtarëve turq do të përqëndrohen pjesërisht në krijimin e një korridori në Detit të Zi, për të lejuar drithin ukrainas të hyjë në tregjet botërore.
Ankaraja thotë se një marrëveshje e tillë shmang rrezikun e konfrontimit midis NATO-s dhe Rusisë, duke pasur parasysh praninë e fortë detare të Rusisë në Detin e Zi.
Por analistët dyshojnë se Rusia është e angazhuar për të lehtësuar krizën e grurit dhe shtojnë se Moska mund ta shfrytëzojë situatën për interesat e saj.
Nëse gruri ukrainas mbetet i bllokuar, analistët thonë se Ankaraja do të përballet me presion në rritje për t’u dhënë anijeve luftarake të NATO-s hyrje në Detin e Zi përmes ngushticës të Bosforit në Stamboll, të cilën Turqia e administron sipas Konventës ndërkombëtare Montreux.
“Teknikisht dhe ligjërisht, kanali i Bosforit është i mbyllur për luftanijet e dy palëve ndërluftuese, Ukrainës dhe Rusisë. Turqia u ka kërkuar me dashamirësi vendeve të tjera të mos dërgojnë asnjë anije luftarake. Por do të vij një moment kur Turqisë do t’i paraqitet një kërkesë ,ose nga NATO-ja, ose një anëtare e NATO-s, për të dërguar anije luftarake në luftë. Alternativat e Turqisë po ngushtohen vërtet në kontekstin e luftës ruso-ukrainase”, thotë Serhat Guvenc me universitetin Kadir Has.
Por analistët thonë se Turqia është e vendosur të parandalojë hyrjen e protagonistëve të rinj në Detin e Zi dhe zgjerimin e luftës.
“Turqia gjithashtu nuk dëshiron të shohë një përshkallëzim të situatës së pasigurisë duke sjellë forca të reja si ato të NATO-s për t’u përballur me rusët, sepse Ankaraja mendon se kjo do të krijonte në mënyrë të pashmangshme një situatë më të rrezikshme për të gjithë sigurinë turke dhe gjithashtu për sigurinë rajonale” thotë Mustafa Aydin, me Këshillin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Turqisë.
Ankaraja është më se e ndërgjegjshme për dëshirën e Moskës që Turqia ta mbajë Bosforin të mbyllur për anijet e NATO-s, gjë që i jep Turqisë një epërsi të fuqishme në bisedimet me Rusinë.