AAK kërkon heqjen e akcizës së naftës dhe tatimit mbi produktet bazike për pesë muaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare dhe përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik.

Kështu ka deklaruar deputeti i kësaj partie Pal Lekaj, në një konferencë për media, duke shtuar se kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë dhe rritjes enorme të çmimeve.

Reklama e sponzorizuar

“Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, tha Lekaj.

Lekaj ka thënë se kryeministri Kurti është në ekskursion dhe se ministrat e tij nuk po ndërmarrin masa në të mirë të qytetarëve.

“Reagimi i Qeverisë, në këtë kohë krize as që shihet. Kryeministri është ne ekskursion e ministrat e dikastereve ekonomike janë të padukshëm. Madje për secilin propozim, iniciativë të opozitës, nuk ekziston as minimumi i vullnetit për diskutim, apo gjetje të alternativave të përbashkëta. Pra thjeshtë, ende janë në logjikën “Krejt dhe drejt””, u shpreh ai.