Agjencia Kosovare e Privatizimit vazhdon të operojë pa sistemin e-pasuria

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) po vazhdon të operojë pa sistemin në të cilën duhet të regjistohen të gjitha pasuritë jo-kapitale dhe stoqet.

Sipas rregullores për Menaxhimin e Pasurive jo Financiare nëpër ndërmarrje e institucione publike, neni 6, paragrafi 3, “pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK ndërsa pasuria jo kapitale dhe stoqet, në sistemin “e-pasuria”.

Ndërsa, AKP-ja edhe këtë vit ende nuk kishte arritur që ta funksionalizojë këtë sistem, duke rritur rrezikun për informata të mangëta mbi gjendjen e pasurisë dhe mos prezentim të drejtë të tyre në pasqyrat vjetore financiare, përcjell Buletini Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

Në bazë të raportit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) për AKP-në, kjo e fundit gjatë vitit 2021 ka aplikuar vetëm një softuer të brendshëm për menaxhimin e pasurive jokapitale.

Sipas zyrtarëve, AKP vite më radhë ka tentuar të regjistrojë pasuritë në sistemin e-pasuria, mirëpo funksionalizimi i këtij sistemi nuk është bërë ende.

AKP-ja ka konfirmuar për ZKA-në se edhe gjatë vitit 2021, por edhe viteve të mëparshme kishte kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP) që të barten të gjitha shënimet në sistemin “E-Pasuria”, mirëpo kërkesa kishte rezultuar pa sukses.

Mëgjithatë, mos funksionalizimi i këtij sistemi sipas kërkesave rregullative për menaxhim të pasurive, ndikon në mos-përmbushjen e kërkesave ligjore për regjistrimin e pasurisë, vlerëson Auditori i Përgjithshëm.

Prandaj, ZKA rekomandon që Bordi i Drejtorëve në AKP, të sigurohet ta vazhdojë bashkëpunimin aktiv me MPBAP, për eliminimin e mangësive në sistemin e-pasuria, përfshirë edhe bartjen e shënimeve të pasurive jo kapitale. /Buletini Ekonomik/