Shqipëria vendos tatim të kriptomonedhave – Ligji i ri: Të ardhurat nga transaksionet dhe “mining” do konsiderohen investim në asete

Kriptovalutat

Shqipëria po bëhet gati që të përfshijë për herë të parë në listën e të ardhurave të tatueshme, edhe fitimet nga kriptomonedhat. Kjo parashikohet në ligjin e ri për tatimin mbi të ardhurat, që për herë të parë përfshin edhe investimet në asete virtuale, si kriptomonedhat.

Nëse ligji miratohet pa ndryshime, atëhere do të duhet të shoqërohet edhe nga një udhëzim i Ministrisë së Financave për mënyrën e llogaritjes së vlerës së atyre që emërtohen si mjete virtuale.

Në projektin e ri të ministrisë së Financave që është ende në proces konsultimi parashikohet se procesi i gërmimit  “mining’ dhe transaksionet e shitjes së kriptomonedhave do të konsiderohet si të ardhura nga investimet, dhe si rrjedhojë do të tatohen ashtu si të ardhurat e tjera nga investimet jovirtuale. Në këtë mënyrë, Shqipëria ‘legalizon’ dy aktivitete të rëndësishme, atë të gërmimit dhe atë të tregtimit të kriptomonedhave.

Reklama e sponzorizuar

Referuar ligjit, të ardhurat  nga investimi, ku përfshihen edhe aktivitetet me kriptomonedha, tatohen me normat e mëposhtme:

-Të ardhurat nga dividentët 8%.

-Çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi 15%.

Referuar një studimi të kryer nga SCAN Intel, rezulton se në Shqipëri rreth 30 mijë persona janë zotërues kriptovalutash. Në këtë rast, bëhet fjalë për numër portofolesh, pra jo çdo zotërues i referohet domosdoshmërisht një individi, pasi një individ mund të ketë disa portofole. Vlera e portofoleve shqiptare llogaritet rreth 6.2 miliardë dollarë dollarë, sipas raportit më të fundit nga Chainalysis mbi gjeografinë e kriptovalutave për vitin 2021, i cili rendit 154 shtete të botës.

Rreth 60%  e portofoleve janë në kriptomonedhën ‘Etherum’.  Taksimi i kriptomonedhave është një praktikë që muajt e fundit është përhapur gjerësisht në botë, për faktin se ky aktivitet po zë një vend të rëndësishëm në ekonomi. Në këto kushte, shumë shtete kanë nisur të ndjekin rrugën e tatimit të tyre./Scan tv/