“Kam pasur dhimbje në këmbë” – reagon zv/ministri që mbante këmbët në xhamin e veturës

Zëvendësministri i shkarkuar i Ministrisë së Bujqësisë, Shukri Maxhuni ka thënë se vuan nga një sëmundje shëndetësore dhe për këtë arsye i kishte vendosur këmbët në xhamin e veturës zyrtare.

Maxhuni u shkarkua sot nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, shkruoi sot kryeministri Haradinaj.

Reklama e sponzorizuar

E, në një prononcim për gazetën inFokus, Shukri Maxhuni ka thënë sot se e respekton vendimin e kryeministrit për shkarkimin e tij. Ka thënë se ka pasur probleme shëndetësore dhe për këtë arsye i ka shtrirë këmbët në xham.

“Është vendim i tij, kam bërë gabim, nuk e kam bërë për mendje të madhe, kam probleme shëndetësore, kam pas dhimbje dhe e kam shtri këmbën, e kam bërë për dhimbje”, deklaroi Maxhuni për gazetën inFokus.

Tutje, Maxhuni shtoi se gjatë kohës sa ishte në detyrë u mundua të bëj punën në mënyrën më të mirë të mundshme dhe se e pranon që gjesti i tij nuk ishte i hijshëm, por e gjitha ishte vetëm për arsye shëndetësore.

“E kanë parë të arsyeshme ashtu, qëndroj mbrapa, jam munduar me dhënë kontributin tim në aspektin profesional, bile tash edhe priten me dal disa projekte të mëdha të bujqësisë që kam punuar, por, kështu është puna. E miratoj, është vendim politik, se kam bërë nga keqpërdorimi, brenda orarit zyrtar kam qenë, e kam bërë në autostradë, jo në qytet, pasi kam pas dhimbje. Diagnoza ime e don me pas këmbën shtrirë, dikush më ka inçizu, nuk ka qenë gjest i mirë, e kam bërë për dhimbje, por, si duket atyre nuk ju ka interesu. Megjithatë unë e miratoj dhe e përshëndes vendimin, jeta e puna vazhdon”, shtoi Shukri Maxhuni.