Ka arritur në 10 mijë numri i nënshkrimeve në peticionin për tërheqjen e kursimeve nga Fondi Pensional (Trusti), bëjnë të ditur nga iniciativa “Pro tërheqjes së 30 për qind të Trustit”.
Adnan Jashari nga kjo nismë tregon për Telegrafin se mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdoj deri në fundjavë, kurse javën e ardhshme ky peticion do të procedohet në Kuvendin e Kosovës.
“E kemi arritur numrin e 10 mijë nënshkrimeve, por do vazhdojmë deri në fund të javës të mbledhim nënshkrime për shkak se ka interesim të madh prej qytetarëve në të gjitha qytetet. Prandaj, pasi ka interesim nuk po ndalemi, po bëjmë edhe më shumë nënshkrime që ta forcojmë bindjen për deputetet që qytetarët janë pro tërheqjes së Trustit”, tha Jashari.
Ai theksoi se peticioni do të dërgohet javën e ardhshme në Kuvend.
“Javën e ardhshme kemi menduar t’i dërgojmë nënshkrimet në Kuvend”, theksoi ai.
Kujtojmë se gjatë javës së kaluar, në Kuvend ishte rrëzuar nisma e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu. Kundër kanë votuar deputetët Lëvizjes Vetëvendosje. Nga 102 deputetë në sallë, 44 patën votuar për, 57 kundër dhe 1 abstenim.
Sipas një hulumtimi të Institutit për Studime të Avancuara GAP, afër gjysma e kontributdhënësve do të mund t’i tërhiqnin mesatarisht nga 95.5 euro nga Trusti.
Vlera mesatare e kursimeve të një kontributdhënësi në Fond është 5,400 euro.
Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID-19, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.
Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.
Nga të dhënat e Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribuues. /Telegrafi/