Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar detajet e dy vendimeve të marra nga mbledhja e fundit të Qeverisë së Kosovës.
Kurti ka treguar se për njërën marrëveshje kërkohet ratifikimi në Kuvendin e Kosovës, kurse për tjetrën nevojitet autorizimi i Presidencës.
“Në mbledhjen e 87-të të Qeverisë, miratuam vendime për dy marrëveshje, dy projekte madhore zhvillimore. Për njërën do të kërkohet ratifikimi në Kuvendin e Republikës, për tjetrën autorizimi i Presidentes për nënshkrimin e të njëjtës. Pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive Kosovë-Shqipëri, me hapa të sigurt po ecim drejt realizimit të lidhjes hekurudhore Durrës-Prishtinë. Me ratifikim në Kuvend, do të përcaktohet procedura, do të ndahet kostoja, ashtu që hekurudha të realizohet”, shkruan Kurti në Facebook
“Ndërkaq, pas negociatave të suksesshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), do të kërkohet autorizimi nga Presidentja, për nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit në vlerë prej 236.7 milionë dollarë, për investimin më të madh ndonjëherë në fushën e energjisë”, ka përfunduar ai.