Vetëm për 5 muaj, mikrofinancat në Kosovë regjistruan 7.7 milionë euro fitim të pastër

Vetëm deri në muajin maj, Institucionet mikrofinanciare (IMF) në Kosovë, kanë arritur të realizojnë fitim neto prej 7.7 milionë eurove.

Nga 6.3 milionë euro sa ishte profiti neto i tyre në muajin prill të këtij viti, gjatë muajit maj atyre iu shtuan edhe 1.4 milionë euro të tjera fitim, duke e çuar fitimin e përgjithshëm në 7.7 milionë euro për vetëm pesë muaj.

Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Sistemit financiar, Informata mujore për muajin prill 2022”, të hyrat e institucioneve mikrofinanciare në vend arritën në 23 milionë euro gjatë kësaj periudhe, nga 18.5 sa ishin në muajin prill përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Nga i gjithë totali i të hyrave, gjithsej 20.1 milionë ishin të hyra vetëm nga interesi.

Në anën tjetër, shpenzimet në sektorin mikrofinanciar gjatë muajit maj arritën vlerën e 15.3 milionë eurove. Nga kjo shumë e shpenzimeve, vetëm 3.3 milionë prej tyre ishin për shpenzime të interesit, kurse 9.7 milionë euro shkuan për shpenzime të personelit dhe shpenzime administrative.

Raporti poashtu specifikon se kreditë e dhëna nga institucionet mikrofinanciare për qytetarët, në muajin prill ishin në vlerë të 256.2 eurove, prej të cilave 167 milionë ishin për ekonomitë familjare ndërsa 89.2 milionë tjera për korporatat jofinanciare.

Sipas të dhënave të raportit, norma e interesit në kredi në këto institucione në muajin maj, u shpreh në një përqindje prej 19.2 për qind, nga 19 për qind sa ishte në muajin prill.(Blendrita Avdiu)/Buletini Ekonomik/