Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dje ka përmbyllur ceremoninë e radhës të shitjes së aseteve me nr. 56, përmes metodës së Likuidimit.
Nga kjo valë e shitjes së disa prej aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në disa komuna të Kosovës, AKP-ja ka grumbulluar gjithsej 618 mijë e 367 euro.
AKP-ja me këtë rast ka shpallur edhe emrat e fituesve, që ofertuan në shumat më të larta për këto 15 aseteve që ishin në dispozicion për shitje.
“Për 15 asete sa ishin në shitje përmes kësaj shitje me likuidim gjithsej u pranuan 25 oferta, dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 618,367 mijë €uro”, thuhet në komunikatën për media nga AKP.
Në njoftimin e AKP-së, theksohet se “dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve janë bërë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, përfaqësuesve të Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës si dhe investitorëve të pranishëm. Poashtu është bërë transmetimi drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: ëëë.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonies për të gjithë qytetarët e interesuar që s’kanë qenë të pranishëm në sallë”.
Ceremonia e hapjes së ofertave është mbajtur në Sallën e Hotelit Grand Prishtina, ku edhe është bërë dorëzimi i ofertave nga ofertuesit nga ora 10:00 deri në ora 12:00. /Buletini Ekonomik/
Rezultatet e ofertave mund t’i shihni në fotografinë në vijim:










