Kancelari gjerman, Olaf Scholz, thotë se vendimi i Gjermanisë për të riaktivizuar termocentralet me qymyr dhe naftë për të lehtësuar mungesën e energjisë për shkak të luftës në Ukrainë është vetëm i përkohshëm, shkruan Euronews.
Qeveria e tij mbetet e përkushtuar të bëjë “gjithçka” për të luftuar krizën klimatike, theksoi Scholz.
Scholz shprehu keqardhjen për vendimin e Gjermanisë për të ndezur 16 termocentrale të fjetura me lëndë djegëse fosile dhe për të zgjatur lejen e funksionimit për 11 të tjera mes frikës për shkurtime të mëtejshme në furnizimet me gaz natyror nga Rusia.
“Fakti që për shkak të sulmit brutal të Rusisë ndaj Ukrainës ne tani duhet të përdorim përkohësisht disa termocentrale që i kishim hequr tashmë nga funksionimi është i hidhur”, tha ai. “Por kjo është vetëm për një kohë shumë të shkurtër.”
Scholz këmbënguli se Gjermania mbetet e përkushtuar për t’i dhënë fund emetimeve të gazrave serrë deri në vitin 2045 dhe vuri në dukje një paketë të fundit masash të miratuara nga parlamenti për të nxitur përhapjen e energjisë së rinovueshme.
“Ne duam të bëjmë gjithçka që mundemi për të luftuar krizën klimatike,” tha ai.
Por ambientalistët thonë se qeveria mund të bëjë shumë më tepër, duke përfshirë vendosjen e një kufiri të përgjithshëm të shpejtësisë dhe kufizimin e fluturimeve të brendshme për të kursyer karburant.
Aktivistët e klimës kanë bllokuar gjithashtu rrugët kryesore brenda dhe përreth Berlinit kohët e fundit në shenjë proteste kundër planeve për projekte të reja të naftës dhe gazit në Detin e Veriut.
Scholz dhe ministri i energjisë i vendit, Robert Habeck, kanë përjashtuar mundësinë e zgjatjes së jetëgjatësisë së tre centraleve bërthamore të mbetura të Gjermanisë përtej këtij viti, duke argumentuar se kjo nuk do të zgjidhte nevojat e Gjermanisë për energji.