Shifrat e publikuara të premten tregojnë se inflacioni në 19 vendet që përdorin monedhën euro arriti rekordin më të lartë, nxitur nga rritja e kostove të ushqimit dhe energjisë.
Ja një vështrim më i hollësishëm i të dhënave:
ÇFARË THONË SHIFRAT?
Sipas Eurostatit, zyrës së statistikave të BE-së, çmimet e konsumit në eurozonë u rritën 5% në dhjetor krahasuar me një vit më parë.
Çmimet e energjisë ishin treguesi që shënoi rritjen më të madhe gjatë vitit të kaluar me 26%, pak më i ulët se muaji i kaluar. Rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë u ngrit me 3.2%, në dhjetor nga 2.2% në nëntor. Çmimi i mallrave të tjera u rrit me një ritëm më të shpejtë prej 2.9%.
Megjithatë, rritjet e çmimeve për shërbimet ranë disi në 2.4%, duke sugjeruar se varianti omikron i COVID-19 uli kërkesën për udhëtime pushimi. Pa elemetët potencialisht të paqëndrueshëm si ushqimi dhe energjia, norma e inflacionit bazë të eurozonës qëndroi e pandryshuar në 2.6%.
PSE ËSHTË E RËNDËSISHME?
Shifra e fundit thyen rekordin prej 4.9% të vendosur në nëntor dhe shënon nivelin më të lartë të inflacionit që nga fillimi i mbajtjes së regjistrave për monedhën euro në vitin 1997, dy vjet përpara përdorimit të saj aktual.
Kjo do të thotë se çdo gjë, nga artikujt ushqimore e deri tek mallrat e tjera dhe karburanti, po kushtojnë më shumë pasi rimëkëmbja ekonomike nga pandemia ka rritur kërkesën për energji dhe ka rënduar zinxhirët e furnizimit global.
Shifrat tregojnë se si inflacioni është shfaqur si një nga çështjet kryesore me të cilën po përballen politikanët.
Inflacioni po shton presionin që Banka Qendrore Evropiane të veprojë pasi i ka mbajtur normat e interesit jashtëzakonisht të ulëta për të stimuluar ekonominë që të rimëkëmbej nga pandemia. Ardhja e Omikronit ka detyruar një rishikim të çdo vendimi, që mund të pengojë rritjen ekonomike dhe analistët nuk presin që banka evropiane të rrisë normat deri në vitin 2023.
Inflacioni nuk është vetëm problemi i BE-së. Çmimet e konsumit në SHBA janë rritur me ritmin më të shpejtë në 39 vjet, dhe me ritmin më të lartë në më shumë se një dekadë në Britani. Inflacioni në Turqi arriti në 36% muajin e kaluar – më i larti në 19 vjet – ndërsa Brazili e pa atë të përshpejtohej në më shumë se 10%, ritmi më i shpejtë në 18 vjet.
ÇFARË MENDOJNË EKSPERTËT?
Disa ekonomistë mendojnë se inflacioni në eurozonë do të arrijë kulmin së shpejti, nëse nuk e ka arritur tashmë. Një faktor kryesor janë çmimet e gazit natyror, “të cilat kanë qenë tepër të paqëndrueshme në javët e fundit dhe një element dominues i rritjes së fundit të inflacionit,” thotë ekonomisti i lartë Bert Colijn, me firmën ING Bank.
Çmimet për gazin natyror dhe naftën në tregjet e së ardhmes sugjerojnë se inflacioni i energjisë ka të ngjarë të ketë arritur kulmin dhe mund të vijë duke u lehtësuar, tha ai.
Tani, “çështja është se sa e mprehtë do të jetë tendenca,” tha zoti Colijn.
Ai dhe ekonomistë të tjerë parashikojnë se inflacioni bazë do të lehtësohet, por do të qëndrojë në ose mbi 2% këtë vit, duke i dhënë Bankës Qendrore Evropiane pak hapësirë për të vepruar kur bëhet fjalë për një vendim për normën e interesit.
ÇFARË PO BËJNË VENDET E TJERA?
Pavarësisht përhapjes së Omicronit dhe efekteve të pasigurisë në ekonominë globale, bankat qendrore kanë rritur normat e interesit për të luftuar inflacionin në rritje, ose janë duke ndërmarrë hapa në këtë drejtim.
Muajin e kaluar, Banka e Anglisë u bë banka e parë qendrore e një ekonomie të madhe të përparuar, që nga fillimi i pandemisë, që rriti normat e interesit. Banka Qendrore Evropiane ka marrë një qasje shumë më të kujdesshme, por gjithashtu ka vendosur të fillojë t’u japë fund gradualisht disa nismave të saj stimuluese vitin e ardhshëm.
Rezerva Federale e SHBA po ecën më shpejt se Evropa për të shtrënguar kredinë pasi çmimet e konsumit u rritën me 6.8% në nëntor të vitit të kaluar./VoA