Familjet shqiptare kanë 58 miliardë euro prona

Një familje shqiptare vlerëson se mesatarisht, banesa kryesore ku jetojnë të gjithë anëtarët e njësisë familjare ka një vlerë prej rreth 5.9 milionë lekësh (të dhënat i referohen vitit 2019). Duke llogaritur `indeksin fischer` të viteve të fundit, deri në vitin 2021 vlerësohet se kjo shifër është ngjitur pranë 6.78 milionë lekëve. Kjo e dhënë del në pah nga një vrojtim i publikuar pak kohë më parë nga Banka e Shqipërisë mbi pasurinë e familjeve shqiptare, që vjen në formën e një anketimi mbi më shumë se 2200 familje. Të dhënat i referohen vitit 2019. “Scan Intel” ka analizuar shifrat zyrtare duke i kryqëzuar ato, për të kuptuar se sa vlejnë pronat e shqiptarëve sot.

Sipas Institutit të Statistikave, në vendin tonë numërohen rreth 768 mijë familje. Pjesa dërrmuese e tyre jeton në një banesë në pronësi, më saktë, 93% e totalit, një pjesë prej më pak se 5% jeton në një banesë me qira, një pjesë tjetër në një banesë ku nuk paguan qira dhe më pak se 0.1% rezultojnë si pa banesë fare. Duke qenë se vlera mesatare e banesës për 93% të familjeve vlerësohet pranë rreth 6.78 milionë lekëve (vlera e projektuar sipas `indeksit fischer` për vitin 2021), atëherë, vlera e banesës kryesore për familjet shqiptare fiksohet në një total prej rreth 41.8 miliardë eurosh.

Ndërkohë, në të njëjtën shifër, prej 5.9 milionë lekësh vlerësohet edhe vlera e pronave të tjera të familjeve. Duke pasur parasysh se thuajse 1 në 3 familje (36%) kanë të paktën një pronë tjetër, atëherë deduktojmë se, vlera e pronave të tjera të familjeve shqiptare fiksohet pranë rreth 16.1 miliardë eurove. Pra, në total, familjet shqiptare kanë një pasuri të patundshme që vlen të paktën 57.9 miliardë euro sot. Kjo shifër është 3.2 herë më e lartë se ajo që ekonomia shqiptare në tërësi prodhon në një vit. Shifra është gjithashtu e përafërt me të gjithë PBB-në e Serbisë, apo Sllovenisë.

Reklama e sponzorizuar

Kjo përllogaritje jep një vlerë të përafërt, duke qenë se është e bazuar mbi shifra që i referohen një anketimi të Bankës së Shqipërisë dhe vlerësimi për vlerën e pronës është bërë nga vetë qytetarët. Por, duke pasur parasysh se ky anketim ka një kampionim përfaqësues edhe marzhet e gabimit janë të ulta, ndërkohë që nga ana tjetër përfshin edhe pronat “pa letra”. Ndër të tjera, përllogaritja bazohet mbi një kryqëzim të dhënash të ndryshme si dhe mbi `indeksin fischer` të Bankës së Shqipërisë që mat rritjen e çmimeve në tregun imobiliar, gjithashtu i bazuar në një anketim. Gjithsesi, shifra prej rreth 58 miliardë eurosh përfaqëson një vlerë të përafërt të pronave të familjeve shqiptare./Scan Intel/