Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri me anë të një reagimi publik ka njoftuar se Qeveria ka vendosur ta shuajë Agjencinë për Efiçencë të Energjisë.
Sipas Tahirit, ky është një vendim absurd në kohën kur e gjithë bota po po angazhohet për efiçiencën dhe bën programe specifike në këtë drejtim.
“Edhe një vendim absurd, Qeveria vendos ta shuajë Agjencinë për Efiçencë të Energjisë. Në kohën kur i gjithë globi po angazhohet për efiçiencën e energjisë dhe bën programe specifike në këtë temë, Qeveria e Kosovës, sot, ka sjellë një ligj për racionalizimin e agjencive, ku rekomandon që të shuhet Agjencia për Efiçencë të Energjisë”, thuhet në reagimin e Tahirit.
Ai ka thënë se Qeveria e vendit duhet të diskutojë rikthimin e Ministrisë së Energjisë e lëre më të shuhet një agjenci.
“Kundërthënia bëhet edhe më e madhe, ngase e gjithë agjenda e Qeverisë lidhet me konceptin e efiçencës. A mund të tregojë dikush se si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë? Në veçanti, duke e ditur se kriza energjetike dhe koncepti i energjetikës është kah thellohet. Vendet përkatëse, kanë paraqitur masat e subvencionimit, nisur nga pajisjet efiçente të ngrohjes, lëndëve djegëse, ulja 3-4 gradë e temperaturave në Austri në rrjetet e ngrohjes qendrore, e deri tek ndërrimi i shiritave izolues të dyerve dhe dritareve. Në esencë Qeveria e vendit duhet të diskutojë rikthimin e Ministrisë së Energjisë, e lëre më të shuhet një agjenci, që qëllimin e vetëm e ka efiçencën e energjisë. Në Komision për Administratë Publike e kundërshtova këtë Ligj”, përfundon ai.