​KEK: Bashkëpunimi me KESH për sigurimin e rrymës do të vazhdojë edhe ditëve të ardhshme

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se po vazhdon bashkëpunimin me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) në përballimin e krizës energjetike për furnizimin e qytetarëve të të dyja vendeve.

Në një komunikatë për media, thuhet se KEK falë bashkëpunimit të ndërsjellë me KESH-in, nga sasia e depozituar mbi 120.000 MW/h, e cila ishte paraparë t’i kthehet Kosovës gjatë dimrit, ka arritur të sigurojë energji elektrike për orë të caktuara në kohë të pikut, kur konsumi në Kosovë po shënon ngritje.

Reklama e sponzorizuar

KEK dje nga KESH-i ka siguruar sasinë prej 100 MW/h nga ora 14:00-24:00, në total 1100 MW/h, ndërsa për sot po ashtu ka siguruar 100 MW/h nga ora 10:00-22:00 në total 1200 MW/h.

Për më tepër, KEK ka bërë kërkesë te KESH-i që bazuar në kapacitetet që kanë në dispozicion kjo gjendje të vazhdojë edhe në ditët në vijim derisa akterët përgjegjës t’i përmbushin obligimet e tyre sipas licencës.