Kriza globale e energjisë u thellua akoma më tepër të martën, pasi një tjetër rritje e çmimeve të gazit natyror në Europë dhe në SHBA kërcënoi të shtynte drejt recesionit disa nga ekonomitë më të mëdha të botës.
Tregjet e gazit në Europë u rritën papritmas me 10 për qind, duke shkuar në 251 euro për megavat orë, një shifër ekuivalente me më shumë se 400 dollarë për fuçi naftë, ndërkohë që tregtarët po nxitojnë për të siguruar furnizime përpara fillimit të dimrit. Çmimet janë rritur me më shumë se dyfishin krahasuar me nivelet jashtëzakonisht të larta të qershorit, megjithëse ato patën një rënie më vonë gjatë ditës së martë.
Këto ndryshime të ҫmimeve kanë ardhur pas kufizimit të furnizimeve nga Rusia, e cila po hakmarret ndaj fuqive perëndimore që mbështesin Ukrainën pas pushtimit të nisur nga Moska. Tregtarët druhen për konkurrencën me kompanitë aziatike për sigurimin e ngarkesave të gazit natyror të lëngshëm, përpara fillimit të sezonit të dimrit. Politikanët europianë kanë akuzuar Moskën se po i përdor furnizimet si një “armë”.
Me çmimet e gazit që janë bërë 10 herë më të shtrenjta se niveli i tyre normal, mundësia për një recesion të thellë ekonomik është rritur, pasi investitorët tani janë më pesimistë për ekonominë gjermane krahasuar me çdo periudhë tjetër që nga kriza e borxhit të eurozonës, një dekadë më parë.
Çmimet e gazit në Europë pritet të mbeten në këto nivele rekord ose të rriten edhe më shumë me afrimin e dimrit. Berlini po diskuton mundësinë e racionimit të përdorimit të gazit, ndërsa qeveritë e tjera, nga Londra në Madrid, po përgatiten të subvencionojnë faturat e larta të energjisë.
Rritjet e mëtejshme të çmimeve do të shtojnë kostot për mbështetjen e familjeve, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar, ku është krijuar presioni për kryeministrin e ardhshëm që të vendosë një kufi për ҫmimin e energjisë në fatura, edhe sikur Rusia të ndërpresë plotësisht furnizimet.
“Çmimet e gazit në Europë vazhdojnë të mbeten në nivele të larta”, tha Bill Farren-Price, drejtor në firmën e konsulencës në fushën e energjisë, Enverus.
“Me klientët që po përballen me mundësinë e ndërprerjes së plotë të furnizimeve nga Rusia që përpara fillimit të dimrit, nuk mund të bëhet gjë për të ndaluar rritjen e ҫmimeve, derisa të kemi një rënie të konsiderueshme të kërkesës, e cila mund të nënkuptojë një recesion të thellë. Por, nuk jemi akoma në këtë pikë.”
Ҫmimet e gazit në SHBA mbeten shumë më të ulëta se në Europë, falë bumit të nxjerrjes së shistit argjilor gjatë 15 viteve të fundit, por rritja e kostove të energjisë ka nxitur nivelet më të larta të inflacionit në dekadat e fundit, duke shkaktuar alarm në Shtëpinë e Bardhë.
Të martën, ҫmimi i gazit standard në SHBA u rrit me pothuajse 7 për qind, duke shkuar në më shumë se 9.30 dollarë për një milion njësi termike britanike, një shifër kjo afër niveleve që mbizotëronin përpara revolucionit të shistit argjilor.
Analistët thanë se priten rritje të mëtejshme në muajt e ardhshëm, në të dy kontinentet, pasi kërkesa do të vijojë të rritet, dimri do të nisë së shpejti dhe qeveritë do të nxitojnë për të zëvendësuar furnizimet me energji ruse në Europë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, kontratat standarde për furnizimet në shtator u rriten me më shumë se 18 për qind të martën, duke arritur në 4.80 £ për termo, ekuivalente me pothuajse 58 dollarë për një milion njësi termike britanike, përpara se të pësonin një rënie të lehtë.
Në Europën kontinentale, çmimi standard i gazit është i barabartë me 75 dollarë për një milion njësi termike britanike, pasi çmimet rekord të gazit po futen në tregjet e energjisë elektrike, ku çmimet janë rritur me gjashtë herë krahasuar me nivelin e një viti më parë.
Të martën, kompania e metaleve Nyrstar, e cila kontrollohet nga firma e tregtimit të mallrave Trafigura, tha se do të ndërpriste prodhimin për një kohë të pacaktuar në një nga shkritoret më të mëdha të zinkut në Europë, duke u bërë kështu viktima e fundit e krizës energjetike në botën e industrisë.
Rritja e çmimit në SHBA erdhi pas të dhënave që tregojnë një ngadalësim të prodhimit nga puset e reja të naftës dhe të gazit argjilor, për shkak të reduktimit të shpimeve, pengesave në rrjetin e tubacioneve dhe rritjes së kostove të prodhimit, tha Peter Rosenthal nga firma e konsulencës Energy Aspects.
“Po ndodh një ndryshim thelbësor,” tha Stephen Schork, redaktor i buletinit për tregun e energjisë, The Schork Report. Dekada me ҫmime të ulëta të gazit në SHBA “i përket tani një epoke të shkuar”, shtoi ai.
Çmimet e gazit në SHBA janë rritur pasi rezervat nëntokësore kanë rënë 12 për qind nën nivelet mesatare, pjesërisht për shkak të termocentraleve që po djegin më shumë karburant për të plotësuar kërkesën për energji elektrike gjatë një vere më të nxehtë sesa temperaturat normale të kësaj stine.
Çmimet janë rritur edhe pasi uzina e eksportit të gazit natyror të lëngshëm në Teksas, Freeport, një nga konsumatorët më të mëdhenj të gazit në vend, u mbyll përkohësisht pas një shpërthimi.
Rinisja e punës në Freeport në muajin tetor do të rriste furnizimet për Europën, duke zbutur potencialisht çmimet përtej Atlantikut, por duke shtuar kërkesën në SHBA./ Financial Times