Turqia trondit tregjet me uljen e normës së interesit, pavarësisht inflacionit që po arrin shifrën 80%

Banka qendrore e Turqisë tronditi tregjet ditën e enjte duke bërë një ulje të normës bazë të interesit, pavarësisht se inflacioni në këtë vend po arrin shifrën 80%.

Lira, monedha e Turqisë, ra me 0.9% kundrejt dollarit, ku një dollar filloi të këmbehej me më shumë se 18.1 lira, pas këtij lajmi. Ky është një ndër nivelet më të këqija historike për lirën.

Norma kryesore e interesit në Turqi, e cila kishte qenë 14% për shtatë muajt e fundit, u ul në 13%, në mospërputhje të plotë me atë që po bëjnë bankat e tjera qendrore në mbarë botën.

Reklama e sponzorizuar

“Një tjetër lëvizje idiote,” ishte komenti i Timothy Ash, një strateg për tregjet në zhvillim në BlueBay Asset Management.

“Një çmenduri me inflacionin në shifrën 80%, i cili vazhdon akoma të rritet, por CBRT ul normën me 100 pikë bazë, në kundërshtim me të gjitha pritshmëritë, duke e çuar atë në vetëm 13%,” shkroi ai në Twitter, duke iu referuar bankës qendrore të Turqisë nëpërmjet akronimit të saj.

“Një lëvizje qesharake. Natyrisht, ata i kanë mbushur xhepat e tyre nga Rusia dhe vendet e Gulfit, dhe mendojnë se mund të ulin normat duke mos dëmtuar lirën.”

Qeveria e Turqisë ka bërë një shfaqje diplomatike ndaj disa shteteve të Gulfit, të cilat janë të pasura me naftë, duke përmirësuar marrëdhëniet e tensionuara me to për të tërhequr investime tepër të nevojshme për ekonominë e saj, si dhe ka mbetur e hapur ndaj bërjes së biznesit dhe tregtisë me Rusinë, pavarësisht sanksioneve të Perëndimit dhe pushtimit të Ukrainës.

Analistët prisnin që norma të mos ndryshonte, kështu që lëvizja e bankës qendrore turke ka habitur të gjitha tregjet. Indeksi kryesor BIST pësoi një rënie prej 0.8% pas vendimit, duke u tregtuar me humbje, megjithëse më vonë u rrit me 0.2%, sipas të dhënave nga Reuters.

Në deklaratën e bankës qendrore turke të enjten thuhej se komiteti pret që “procesi i rënies së inflacionit do të fillojë” dhe se ka sinjale të një “reduktimi të vrullit në aktivitetin ekonomik”.

Inflacioni i Turqisë për muajin korrik u rrit me një shifër 79.6% krahasuar me vitin e kaluar, norma më e lartë në 24 vitet e fundit, ndërkohë që vendi po përballet me rritjen e kostove të ushqimit dhe të energjisë, si dhe me strategjinë afatgjatë të pazakontë të Presidentit Recep Tayyip Erdogan për politikën monetare. Në këtë periudhë, pesë vite më parë, një dollar këmbehej me 3.5 lira; tani, ai këmbehet me më shumë se 18 lira.

“Burimi i të gjitha të këqijave”

Rritja e çmimeve të konsumit ka goditur rëndë popullsinë prej 84 milionë banorësh dhe shumë pak persona shpresojnë se do të ketë ndonjë përmirësim së shpejti, si rrjedhojë e luftës Rusi-Ukrainë, çmimeve të larta të energjisë dhe të ushqimeve, si dhe prej dobësimit të ndjeshëm të lirës.

Turqia ka pasur një rritje të shpejtë ekonomike në vitet e mëparshme, por Erdogan gjatë viteve të fundit refuzoi të shtrëngonte politikën monetare për të frenuar inflacionin, duke i përshkruar normat e interesit si “burimi i të gjitha të këqijave”.

Rezultati ka qenë dobësimi i monedhës dhe rënia e fuqisë blerëse për popullsinë mesatare të Turqisë. Lira ka humbur 26% të vlerës së saj kundrejt dollarit vetëm vitin e fundit, ndërsa rënia e pesë viteve të fundit kundrejt monedhës së gjelbër ka qenë 80%.

Erdogan udhëzoi bankën qendrore të vendit, për të cilën analistët thonë se nuk gëzon pavarësi nga ai, që të ulë vazhdimisht normat e huamarrjes përgjatë viteve 2020 dhe 2021, edhe pse inflacioni vazhdonte të rritej. Të gjithë krerët e bankave qendrore që shprehën kundërshtimet e tyre ndaj kësaj qasjeje, u shkarkuan nga detyra; deri në pranverën e vitit 2021, banka qendrore e Turqisë kishte pasur katër guvernatorë të ndryshëm në vetëm dy vite.

Masat për kontrollin e kapitalit

Qeveria turke aktualisht po përdor një sërë metodash jokonvencionale për të rritur vlerën e lirës, shumica e të cilave përfshijnë shpenzimin në masa të konsiderueshme të rezervave të këmbimit valutor ose bllokimin e kredive në lira për kompanitë që mendohet se kanë shumë para në valutë të huaj, gjë që shumë ekonomistë paralajmërojnë se është një masë e paqëndrueshme.

Ka të ngjarë të ketë shumë më tepër probleme me të cilat Turqia do të duhet të përballet, sipas Capital Economics, një agjencie me qendër në Londër. “Kjo lëvizje e fundit mund të jetë shkaku për një krizë tjetër valutore,” shkroi Jason Tuvey, ekspert ekonomie për tregjet në zhvillim.

“Është e qartë se CBRT po i merr udhëzimet nga presidenti Erdogan, pikëpamjet e pazakonta të të cilit po formojnë bazën e ‘modelit të ri ekonomik’ të qeverisë për normat e ulëta të interesit”, tha Tuvey, duke shtuar se “pozicionimi i jashtëm i Turqisë vazhdon të mbetet jashtëzakonisht i dobët”.

Ky vend, duke qenë një udhëkryq i rëndësishëm ekonomik dhe politik midis lindjes dhe perëndimit, ku janë strehuar miliona refugjatë të Lindjes së Mesme dhe të Azisë Jugore, me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, po përballet gjithashtu me një deficit të lartë të llogarisë korente, me “borxhe të mëdha të jashtme afatshkurtra dhe me rezerva jashtëzakonisht të ulëta të këmbimit valutor,” shkroi Tuvey.

“Nëse CBRT do të vazhdojë të bëjë ulje të mëtejshme të normave përgjatë muajve të ardhshëm, ne dyshojmë se do të fillohet me masat kufizuese për kontrollin e kapitalit.”/ CNBC/