Ekpertët e KEK-ut, ata veteranë, por edhe të gjeneratave të reja, tani e shpërfaqin haptazi dhe pa ngurrim edhe një alternativë të re të sigurimit më të shpejtë dhe më të lehtë të energjisë elektrike të munguar. Dhe me më pak kosto. Sipas tyre, kjo alernativë është dhënia me koncesion e bllokut A1 dhe atij A2, të cilët, siç dihet, që nga paslufta janë jashtë prodhimit dhe pa punuar asnjë orë të vetme. Për dhënien me koncesion të këtyre blloqeve, sipas inxhinierëve të KEK-ut, ka edhe interesim goxha serioz, sidomos pas shpërfaqjes së krizës globale.
Mehmet GJATA
Kosova ka mungesë të theksueshme të energjisë elektrike në muajt e dimrit kur shtohet ndjeshëm shpenzimi i rrymës në konsumin e vendit. Por, Kosova, ka potencial real dhe fare të mundshëm për ta shtuar jo pak prodhimin e energjisë elektrike nga resurset ekzistuese, qoftë ato të natyrës (Kosova ka diku mbi 13-14 miliardë tonelata rezerva të linjitit që shtrihen thuaja në sipërfaqe të tokës) qoftë resurse teknike, tashmë të stërvjetëruara dhe jashtë prodhimit, por të cilat me jo shumë investime do të bëheshin “fringo” të reja, dhe të gatshme për të prodhuar edhe 15-20 vjetët e ardhshëm.
Në këtë tekst, Buletini Ekonomik nuk do të bëjë shumë fjalë për rezervat kolosale të qymyrit që ka Kosova. Ato dihen. Janë rezerva thuaja të pashterrshme dhe këtë fakt e dëshmojnë të dhënat se Kosova e vogël zë vendin e pestë në botë për nga rezervat e qymyrit.
Ndërkohë që përparësi e veçantë e tërë kësaj sasie thëngjilli është se këto rezerva shtrihen thuaja në sipërfaqe të tokës dhe fare pranë impianteve të prodhimit të energjisë elektrike në bazë të qymyrit. Këto fakte e bëjnë të domosdoshme rikthimin e vëmendjes së vendimmarrësve tanë kah këto resurse kaq të favorshme për të pasur energji të bollshme elektrike, sidomos tani, kur çmimet në tregun global të rrymës, praktikisht kanë shkuar në stratosferë. Dhe vëmendjen kah qymyri në këtë kohë krize, sidomos që nga fundi i vitit të kaluar dhe fillimi i këtij viti e këtej, kur botën e ka ngërthyer kriza evidente energjetike, e ka kthyer e mbarë bota, veçmas shtetet e fuqishme siç janë Gjermania, Polonia, Austria, Italia, Franca, Britania e Madhe e kështu me radhë.
Tani, në muajt e fundit, shtetet e fuqishme, i kanë heshtur thuaja tërësisht synimet dhe planifikimet për dekarbonizimin e vendeve të tyre, për rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme. Këto shtete, duan shpejt dhe shumë energji elektrike. Prandaj i kanë “harruar” rezolutat”, synimet planifikuese për dekarbonizim, duke iu rikthyer qymyrit, aktivizimit të impianteve në bazë të këtij resursi pa e fshehur më synimin.
Tashmë po bëhen të diskutueshme, madje edhe të kontestueshme zotimet e parreshtura dhe në nivel dokumentesh (vendimesh, rezolutash, marrëveshjesh ndërkombëtare) edhe zotimet për të mbyllur termokapacitetet energjetike në bazë të qymyrit dhe ato nukleare sipas do afateve të përcaktuara.
Siç dihet, Gjermania është zotuar të mbyllë termocentralet e saj bërthamore deri në fund të këtij viti dhe të gjitha termocentralet me qymyr-guri deri në vitin 2030. Ndërkohë që këtyre ditëve, Qeveria gjermane është bërë pishman për këto zotime duke thënë qartë se këto vendime mund të anulohen pas sulmit rus të Ukrainës.
Po, njësoj, thuaja se kanë vepruar me radhë edhe shumë shtetete të tjera të Evropës. Thjesht, iu kanë kthyer thëngjillit, së paku deri sa të tejkalohet kriza e madhe energjetike. Madje, siç dihet, jo vetëm shtetet fqinje, por edhe më larg, tani kanë shfaqur interesim për qymyrin e Kosovës, blerjen e sasive të caktuara për nevojat e tyre. Ndërsa, Kosova, që ka shumë mungesë të energjisë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, dhe që ka gjithë këtë thëngjill, dhe goxha termokapacitete elektroenergjetike, tashmë të stërvjetruara, vazhdon të mëdyshet, të hezitojë për t’i rikthyer qoftë edhe përkohësisht investimet në rindërtimin e impianteve ekzistuese si dhe në ngritjen e ndonjë termocentrali të ri.
Qëkur filloi kriza globale elektroenergjetike, që përfshiu edhe Kosovën në fundt të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, asnjë hap, asnjë veprim i vetëm nuk është ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës, qoftë për rindërtimin e një kapaciteti të ri në bazë të thëngjillit, qoftë për rindërtimin e termocentraleve ekzistuese Kosova A, përkatësisht të tre blloqeve të saj (A3, A4 dhe A5), të cilët, ç’është e vërteta me ardhjen në pushtet të Qeverisë Kurti, ishin paraparë të rindërtohen. Por, pa ndonjë shpjegim, ashtu heshtazi u hesht ndërtimi i këtyre tri blloqeve të Kosovës A, sado që edhe ekspertët, edhe njohësit më seriozë të zhvillimeve energjetike në vend, ishin shprehur jo njëherë se Kosova më së shpejti dhe më së liri, do të siguronte energjinë elektrike të munguar nga rindërtimi i këtyre termocentraleve të stërvjetruara dhe që akoma janë në prodhim me goxha shumë megavatë-orë.
Inxhinierë me përvojë prej disa dekadash në KEK, në bisedë për Buletinin Ekonomik, por që kërkojnë anonimitetin, tani, këtyre ditëve janë goxha këmbëngulës për domosdonë për t’iu rikthyer përkohësisht qymyrit, resursit që Kosovës ia ka falur me bollëk natyra.
“Dihet se të ne nuk ka shumë mundësi për ndonjë kapacitet të madh nga turbinat me erë, pasi që në Kosovë nuk ka shumë erë dhe nuk ka shumë vende ku mund të instalohen turbinat e erës. Panelet solare në përmasa të efektshme do të rrezikonin tokën edhe ashtu të paktë të bukës. Mbetet pra qymyri, që e kemi të bollshëm dhe me rezerva impozante. Dhe pikërisht këtë resurs që na e ka dhuruar aq begatshëm natyra nuk e kemi përdorë mirë, kujdesshëm, sidomos në aspektin e ruajtjes së ambientit”, spikasin ata pikëpamjet e tyre për zhvillimet energjetike te ne për Buletinin Ekonomik.
Rreth 94 për qind e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë akoma është nga qymyri. Ndërkohë, po kështu dihet se politikat evropiane, ato të asociacioneve kompetente dhe vendimmarrëse u bënë shumë të egra në kërkesat anti-karbon, të ashpra dhe kjo doemos na vuri në pozitë të disfavorshme karshi synimeve zhvillimore për të pasur edhe ne energji të mjafteshme.
Por deri më 2050, kur më nuk do të ketë, siç thuhet, energji nga qymyri, i kemi dy faza. Duhet t’i bindim vendimmarrësit se nuk jemi dhe nuk kemi qenë asnjëherë kundër energjisë së rinovueshme. Përkundrazi, me potencialet natyrore tona për ndërtimin e kapaciteteve të energjisë solare dhe asaj të erës, nuk ka mundësi të plotësohen të gjitha nevojat kosovare për rrymë. Prandaj mbetet thuaja si alternativë e domosdoshme qymyri, së paku deri më 2050, si burim kryesor energjetik te ne. Sidomos tani, pas luftës ruso-ukrainase dhe pas rikthimit të vëmendjes dhe fokusit në strategjitë zhvillimore energjetike të shumë vendeve të fuqishme të Evropës dhe në qarqet vendimmarrëse të BE-së.
Tanimë, shumëkush ka zënë t’i bëjë të diskutueshme politikat e deridjeshme energjetike në të cilat qymyri, në asnjë mënyrë nuk ishte alternativë e prodhimit të energisë elektrike në një të ardhme jo edhe aq të largët. Dhe, kriza energjetike e fundvitit 2021 dhe e fillimvitit 2022 në botë, që u reflektua ashpër edhe në Kosovë, dëshmoi se ne kosovarët nuk kemi edhe aq alternativa të tjera per ta shpallur inekzistent shpejt dhe përnjëherë qymyrin si resurs për t’u ofruar qytetarëve të Kosovës stabilitet në furnizimin me rrymë dhe me kosto të pranueshme.
Alternativë e domosdoshme, e zorit, sidomos tani mbetet akoma ndërtimi i një kapaciteti të ri energjetik në bazë të qymyrit, ose rivitalizimi-rindërtimi i tri blloqeve të Kosovës A (A3, A4 dhe A5) që ende janë në funksion dhe duke prodhuar, madje 35 për qind të energjisë elektrike të Kosovës. Këto alternativa nuk është se nuk janë diskutuar dhe nuk po diskutohen në mjediset që përcjellin zhvillimet elektroenergjetike të vendit. Mirëpo, tani, trysnia që bënin kushtimisht vendet e fuqishme në asociacionet energjetike globale, ka gjasë që më mos të jetë një nga vështirësitë serioze, dhe kërcënim i rindërtimit të A-së, apo të një kapaciteti fare të ri termoenergjetik 300-400 megavatësh.
Taksa e karbonit, e paralajmëruar që do ta vendoste BE-ja dhe që ishte me kosto shumë të madhe, ose që apostrofohej të jetë diku sa çmimi i kostos së prodhimit të një megavati dhe ndoshta edhe më shumë se kaq, gjithsesi, do të jetë shumë më e lirë se sa çmimi stratosferik që jo rrallë deri në këto ditë ka kaluar 500 euro për një megavat – orë.
Inxhinierët e KEK-ut, ata veteranë, por edhe të gjeneratave të reja, tani e shpërfaqin haptazi dhe pa ngurrim edhe një alternativë të re të sigurimit më të shpejtë dhe më të lehtë të energjisë elektrike të munguar. Dhe me më pak kosto. Sipas tyre, kjo alernativë është dhënia me koncesion e bllokut A1 dhe atij A2, të cilët, siç dihet, që nga paslufta janë jashtë prodhimit dhe pa punuar asnjë orë të vetme.
Për dhënien me koncesion të këtyre blloqeve, sipas inxhinierëve të KEK-ut, ka edhe interesim goxha serioz, sidomos pas shpërfaqjes së krizës globale. Prandaj, sipas tyre duhet shfrytëzuar çastin dhe momentumin për të përzgjedhur një investitor serioz dhe duke e kushtëzuar paraprakisht me kontrata dhe marrëveshje të nënshkruara për domosdonë e investimit të teknologjisë më të re, për stabilimentet prodhuese, e sidomos të teknologjisë së fundit domosdo për mbrojtjen e ambientit nga ndotja.
Kosova në sajë të qymyrit të bollshëm ka rastin për të vënë kushte, derisa ka edhe interesim të investitorëve për koncesionimin e këtyre dy blloqeve. Dhe, me rindërtimin e këtyre njësive që tashmë janë “të vdekura”, Kosova dhe koncesionari eventual do të siguronin 150 megavatë-orë plus dhe më shumë energji elektrike, duke siguruar njëkohësisht ambient të pastër, të pranueshëm dhe me norma dhe standarde ndërkombëtare.
Sipas inxhinierëve të KEK-ut, atyre më optimistëve, madje, po të jepej A1 dhe A2 me koncesion në fillim të këtij viti, tashmë, sipas të gjitha gjasave, do të përmbylleshin të gjitha punët për rindërtimin e shpejtuar të tyre dhe në këtë mënyrë do të kishim tashmë megavatët e parë shtesë. Për të dhënë me koncesion A1-shin dhe A2-shin për disa vjet, 15-20 vjet, ta zëmë, siç kërkojnë inxhinierët e KEK-ut, është e domosdoshme para së gjithash të bëhet e ligjshme me kontrata valide dhe pa ekuivoke mbrojtja e ambientit dhe shpjegimi bindës te ambientalistët se në këtë veprim, çështja më parësore do të jetë ruajtja e ekuilibrit ambientalist dhe mbrojtja e mjedisit. Pastaj, saktësimi i kohëzgjatjes së koncesionimit.
Gjithsesi, duhet të saktësohet se koncesionimi eventual duhet të jetë i përkohëshëm, më së shumti siç u tha, 15-20 vjet. Sepse, në kontekstin e zhvillimeve të pritshme energjetike në vend më nuk lejohen gabimet, çfarëdo qofshin ato dhe se gabimet eventuale në këtë sektor nuk mund të sanohen.
Kosova, siç po shihet, kushtimisht edhe disa vite do të varet kryesisht nga thëngjilli. Pak a shumë, kështu rezonojnë edhe njerëz të politikës kosovare, por edhe ekspertët tanë. Në kontekstin e këtyre zhvillimeve, Kosova duhet të dëshmohet më në fund e mençur. T’ua bëjë të qartë komunitetit energjetik, por edhe atij politik ndërkombëtar, nevojat reale energjetike, por karshi këtyre nevojave edhe resurset dhe potencialet për zhvillimin energjetik. Do të ishte mençuri po të gjindej zgjidhja te përqëndrimi kosovar sa më shpejtë që është e mundur për ta pasur fokus kryesor dekarbonizimin e përgjithshëm të sektorit të energjisë, duke rritur vrullshëm ndërtimet në energjinë e ripërtëritshme, që nënkupton duke rritur më shumë investimet në zhvillimet energjetike dhe njëkohësisht të gjendet një modus, ku deri më 2045-2050 të përdoren termocentralet në bazë të qymyrit.
Tani, pas rikthimit të vëmendjes së botës tek thëngjilli, është shumë më lehtë të zbatohet kjo politikë, por edhe të kërkohen para nga institucionet ndërkombëtare financiare për kapacitetet e reja eventuale elektroenergjetike. /Buletini Ekonomik/