Termocentrali me gaz në Vlorë pritet të fillojë operimin në dhjetor 2023

Ministrja e Energjisë dhe Infrastukturës, Belinda Balluku tha se termocentrali me gaz i Vlorës do të jetë i operueshëm në dhjetor 2023, dhe do të filloj prodhimin vetëm pak muaj pasi të vihet në punë.

Ajo këto komente i bëri në emisionin Now në Euronews Albania, ku tregoi edhe për masat që ka ndërmarrë qeveria e Shqipërisë për të përballuar krizën energjetike.

Balluku u shpreh se qeveria shqiptare që nga viti 2019 ka nxitur strategjinë e diversifikimit të burimeve, me dy projekte të rëndësishme; parkun fotovoltaik të Karavastasë dhe TEC e Vlorës që do të punojë me gaz të lëngshëm.

Reklama e sponzorizuar

“Nga 2019 Shqipëria ka nxitur një strategji të diversifikimit të burimeve, që nuk ka qenë e nxitur nga ndonjë krizë por ka qenë një strategji qeveritare përmes 2 ankandeve të suksesshëm një nga të cilat ka nisur ndërtimin; parku fotovoltaik i Karavastasë. Parku tjetër i Spitallës po përgatitet të ndjekë të njëjtën rrugë dhe një hap i rëndësishëm që është TEC i Vlorës”, tha Balluku.

Balluku shpjegoi se TEC i Vlorës do të kthehet në një projekt rajonal pasi do furnizohet me gaz të lëngshëm amerikan dhe do të bëjë të mundur sjelljen e gazit të lëngshëm amerikan që do të shpërndahet në rajon.

Ajo tha se TEC i Vlorës do të jetë i operueshëm në dhjetor 2023 dhe është një projekt që do të nisë të prodhojë energji vetëm pak muaj pasi të vihet në punë.