Rezerva Federale bëri histori të mërkurën, duke miratuar një rritje të tretë radhazi me 75 pikë bazë në një lëvizje agresive, me synim luftimin e inflacionit të lartë që ka pllakosur ekonominë amerikane. Rritja e madhe, e cila ishte e paparashikueshme nga tregjet vetëm muaj më parë, e çon normën bazë të kredisë së bankës qendrore në një interval të ri objektiv prej 3%-3.25%. Kjo është norma më e lartë e fondeve të vendosura që nga kriza financiare globale e vitit 2008.
Vendimi i së mërkurës shënon lëvizjen më të ashpër të politikës së Fed që nga vitet 1980 për të luftuar inflacionin. Gjithashtu ka të ngjarë të shkaktojë humbje të mëdha ekonomike për miliona biznese dhe familje amerikane duke rritur koston e huamarrjes për gjëra të tilla si shtëpitë, makinat dhe kartat e kreditit.
Kryetari i Rezervës Federale, Jerome Powell, pranoi vështirësitë ekonomike që mund të shkaktojë ky vendim.
“Askush nuk e di nëse ky proces do të çojë në një recesion ose, nëse po, sa i rëndësishëm do të ishte ai recesion,” tha Powell të mërkurën pasdite në një konferencë shtypi pas njoftimit të politikës së bankës qendrore. Përmbledhja e përditësuar e Projeksioneve Ekonomike të Fed, e publikuar të mërkurën, i parashikon këto vështirësi. Raporti tremujor tregoi një perspektivë më pak optimiste për rritjen ekonomike dhe tregun e punës, me normën mesatare të papunësisë deri në 4.4% në 2023, më e lartë se parashikimet e vendosura prej FED në qershor me 3.9%. dhe dukshëm më të lartë se norma aktuale prej 3.7%.
Prodhimi i Brendshëm Bruto i SHBA, treguesi kryesor i prodhimit ekonomik, u rishikua përsëri nga 1.7% në 0.2%. Kjo është shumë më poshtë se parashikimet e analistëve: ekonomistët e Bankës së Amerikës kishin vlerësuar se PBB-ja do të rishikohej në 0.7%. Gjithashtu janë rritur edhe parashikimet për inflacionin. Shpenzimet kryesore të konsumit personal, parashikohet të arrijnë në 4.5% këtë vit dhe 3.1% në 2023, tregoi SEP i FED. Kjo është në rritje nga parashikimet e qershorit prej 4.3% dhe 2.7%, respektivisht.
Ndoshta më e rëndësishmja për investitorët që kërkojnë udhëzime nga FED është projeksioni i normës së fondeve federale, i cili përshkruan atë që zyrtarët mendojnë se është rruga e duhur e politikës për rritjen e normave në vijim. Numrat e publikuar të mërkurën treguan se Rezerva Federale pret që normat e interesit të mbeten të larta për vitet në vijim. Parashikimi mesatar i normës së fondeve federale u rishikua lart për vitin 2022 në 4.4% nga 3.4% në qershor.
Ky numër rritet në 4.6% nga 3.8% për vitin 2023. Norma u rishikua gjithashtu më e lartë për vitin 2024 në 3.9% nga 3.4% në qershor dhe pritet të mbetet e ngritur në 2.9% në 2025.
Në përgjithësi, parashikimet e reja tregojnë rrezikun në rritje të një krize edhe më të madhe , ku politika monetare shtrëngohet deri në pikën e nxitjes së një recesioni. Ato ofrojnë gjithashtu disa prova se FED është i gatshme të pranojë “Vështirësitë ” në kushtet ekonomike në mënyrë që të ulë inflacionin e vazhdueshëm.
Çmimet më të larta nënkuptojnë se konsumatorët po shpenzojnë rreth 460 dollarë më shumë në muaj për sende ushqimore në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas Moody’s Analytics. Megjithatë, tregu i punës mbetet i fortë, ashtu si edhe shpenzimet konsumatore. Çmimet e banesave mbeten të larta në shumë zona, edhe pse ka pasur një rritje të konsiderueshme në normat e hipotekave. Kjo do të thotë se FED mund të mendojë se ekonomia mund të pranojë rritje më agresive të normës. /CNN/