Yield-et në Eurozonë arrijnë nivelet më të larta të shumë viteve, obligacionet italiane me performancë të dobët

Yield-et e obligacioneve qeveritare në vendet e Eurozonës arritën nivelet më të larta të shumë viteve, në kushtet e pritshmërive se bankat qendrore do të vazhdojnë të shtrëngojnë politikat e tyre monetare, pavarësisht rrezikut për një recesion të mundshëm dhe shitjes më të fundit nën çmim të bonove britanike.

Ndërkohë, diferenca midis yield-eve të obligacioneve italiane dhe të atyre gjermane u zgjerua akoma më shumë, pasi koalicioni i djathtë fitoi një shumicë të qartë në zgjedhjet e së dielës. Çmimet e bonove italiane janë gjithashtu më të ndjeshme ndaj ndryshimeve në pritshmëritë për normat e interesit, duke pasur parasysh barrën e madhe të borxhit që ka ky vend.

Giorgia Meloni duket se do të bëhet kryeministrja e parë grua e Italisë, duke drejtuar kështu qeverinë me tiparet më të djathta që nga Lufta e Dytë Botërore.

Reklama e sponzorizuar

“Në planin afatshkurtër, nëse rreziqet e brendshme politike mbeten relativisht të kontrolluara, shitjet e bonove italiane mund të ushtrojnë presion duke ngushtuar spread-et,” tha Erjon Satko, ekspert i strategjisë për normat e interesit në BofA.

“Thënë kjo, për shkak se shumë banka qendrore po marrin masa agresive për të luftuar inflacionin, tendenca e normave më të larta në rang global përmes rikalkulimit të çmimit të normës terminale ka të ngjarë të mbetet faktori kryesor që do të ndikojë,” shtoi ai.

Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, përsëriti të martën mesazhin më të fundit të bankës qendrore, sipas të cilit normat e interesit do të duhet të rriten gjatë takimeve të ardhshme për përcaktimin e politikave monetare, edhe pse rritja ekonomike do të ngadalësohet ndjeshëm si rrjedhojë e kësaj.

Yield-i obligacioneve 10-vjeçare të Gjermanisë arriti nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2011, duke shkuar në 2,132%, ndërsa yield-i i obligacioneve 2-vjeçare arriti nivelin më të lartë që nga dhjetori i vitit 2008, duke shkuar në 2,013%.

Ekonomia gjermane po shkon drejt recesionit, deklaroi të hënën instituti Ifo.

Çmimet e obligacioneve të qeverisë britanike vazhduan të binin, me yield-et afatshkurtra që u rritën me rreth 50 pikë bazë, ndërkohë që ministri i financave Kwasi Kwarteng parashtroi një seri reduktimesh të taksave ditën e premte, në një përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike.

Yield-et e obligacioneve 2-vjecare të Britanisë arritën nivelin më të lartë që nga viti 2008, duke u rritur me më shumë se një pikë përqindjeje që nga e premtja, rritja më e madhe në vetëm dy ditë që nga qershori i vitit 2008.

“Zgjedhjet në Itali nuk kanë të bëjnë shumë me rritjen e spread-it, pasi tregjet përgjithësisht e prisnin këtë rezultat,” tha Massimiliano Maxia, specialist i të ardhurave fikse në Allianz Global Investors.

“Yield-et e obligacioneve në të gjithë Europën janë të ndërlidhura dhe rritja e sotme në yield-et e Britanisë po ndikon përsëri në eurozonë,” shtoi ai./ Reuters