Zbulohet rrjedhje nafte në tubacionin “Druzhba” – Linja që furnizon me naftë ruse pjesën më të madhe të Europës Qendrore

Polonia njoftoi të mërkurën se kishte zbuluar një rrjedhje në një nga tubacionet “Druzhba” që sillte naftë nga Rusia në Europë, duke shtuar se ndoshta ishte shkaktuar nga një aksident, megjithëse ngjarja mund të ngjallë ende shqetësime për sigurinë e furnizimeve energjetike të Europës.

Zbulimi i rrjedhjes në tubacionin kryesor që transporton naftë për në Gjermani, të cilën operatori polak PERN tha se e konstatoi të martën në mbrëmje, vjen pasi Europa përballet me një krizë të rëndë energjetike si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Moska, e cila ka ndërprerë furnizimet me gaz.

Sipas kompanisë PERN, ende nuk dihen shkaqet e sakta të rrjedhjes, që u zbulua në një pjesë të tubacionit rreth 70 kilometra nga qyteti polak Plock.

Reklama e sponzorizuar

Tubacioni i naftës “Druzhba”, emri i të cilit do të thotë “miqësi” në rusisht, është një nga më të mëdhenjtë në botë, duke furnizuar naftë ruse në pjesën më të madhe të Europës Qendrore, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Bjellorusinë, Hungarinë, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Austrinë.

Linja e dytë e gazsjellësit dhe elementët e tjerë të infrastrukturës së PERN po funksiononjnë normalisht.

Rafineria gjermane Schwedt, e cila furnizon 90% të karburantit në vend, ka qenë tërësisht e varur nga tubacioni Druzhba. Qeveria gjermane synon të eliminojë importet e naftës nga Rusia deri në fund të vitit. Por, në shtatë muajt e parë, Rusia ishte ende furnizuesi kryesor i saj, duke llogaritur pak më shumë se 30% të importeve të naftës.

Qeveria gjermane ka qenë në bisedime për të siguruar naftë nga Kazakistani për të furnizuar Schwedt, por edhe ajo naftë do të duhet të rrjedhë në Gjermani përmes tubacionit Druzhba.