“Krizë mbi krizë”, kosovarëve u shtrenjtohet edhe qiraja e banesave

Fotografi ilustruese

Kosovarët po përballen me vështirësi ekonomike gjatë muajve të fundit, e cila krizë është karakterizuar me inflacion të lartë, që në shtator ka shënuar 12,7 për qind. Karvanit të gjatë të çmimeve të rritje, i është bashkuar edhe ai i qirave të banesave.

Qytetarët e intervistuar i thanë Nacionales se në muajt e fundit janë përballur me rritjen e kostos së banimit me qira.

Duket se shtrenjtimi i metrit katror të banesave, ka rezultuar edhe ngritjen e çmimit të qirave për qytetarët që nuk posedojnë banesa personale.

Reklama e sponzorizuar

Rritja

Bukurie Thaçi, banuese në Fushë Kosovë, ka thënë se pothuajse që 3 muaj qiranë e banesës e paguan për 50 euro më shtrenjtë. Ajo ka treguar se nga 180 euro sa e kishte më parë, tani ajo shpenzon 130 euro për të njejtën banesë.

Thaçi rrëfeu për Nacionalen edhe arsyetimet që ia thanë për këtë rritje të qirasë.

“Për rritjen e çmimit të qirasë së banesës pronari i baneses më ka lajmruar 15 ditë përpara, me pretendimin se janë rritur çmimet e materialeve ndërtimore, dhe tokat që kanë me qira për objektet e tyre kanë rritur çmimin gjithashtu e që i ka detyruar edhe këta të fundit të rrisin çmimet”, ka thënë ajo.

Tutje, zonja Thaçi sqaroi se kjo rritje e çmimit të qirave detyrimisht rrit shpenzimet brenda familjes, duke vështirësuar edhe më shumë mundësinë për kursim ose investim.

Edhe Mirjeta Shala, studente që banon në Prishtinë, tha për Nacionalen, se rritja e çmimit të qirasë së banesës është bërë për arsyen e shtrejtimit të tatimit në pronë.

“Qiranë e baneses e kemi pasë 230 euro për muaj, ndërkohë që ajo është ngritur në 250 euro mbi faktin se është bërë shtrenjtimi i tatimit në pronë”, ka thënë Shala

Në anën tjetër, Agnesa Zogaj, qiradhënëse, poashtu ka konfirmuar rritjen e çmimit të qirave të banesave në vend.

Sipas saj, arsyeja e rritjes së çmimeve ka të bëjë konkretisht me rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si dhe produkteve të tjera, përfshirë këtu edhe naftës.

“Në shumicën e rasteve ka rritje të çmimit të banesave për faktin se janë rritur shumë çmimi i tokave ku ndërtohen objektet, si dhe shtrenjtimi i energjisë dhe produkteve të tjera bazike”, ka thënë ajo.

Rritjen e çmimit të qirave të banesave, e kanë konfirmuar edhe agjencionet e patundshmërive në vend, ndonëse shumica prej tyre kanë hezituar të flasin publikisht për këtë çështje.

Burim Halili, zyrtar i Agjencionit të Patundshmëri ‘Accsess’, në një prononcim për gazetën Nacionale ka thënë se rritje e çmimit të qirave të banesave është bërë eventualisht 15-20 për qind.

“Nëse një banesë ke pas mundësin me e ble me 40 mijë euro, të njejtën banesë më nuk mundesh me e ble nën 50 mijë, ndërkohë që as qeran nuk mundesh me lanë me 200, por duhet me e ngritë në 250 euro”, ka thënë Halili, duke shtuar se kërkesa e qytetarëve vazhdon të jetë e njëjtë si për qirramarje, ashtu edhe për blerje të banesave.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu vlerëson se ngritja e çmimit të qirasë së banesave e vështirëson jetën e qytetarëve, pasi që pagat vazhdojnë të jenë të njëjta që nga viti 2012.

“Shumica derrmuese e qytetarëve do ta kenë të pamundur t’i përballojnë këto shpenzime me këtë nivel të pagave, me këtë nivel të pensioneve. Në këtë drejtim definitivisht ajo se çka është më shqetësuese është fakti se kemi një inflacion 19.2 për qind siç thotë Banka Botërore, por të njëjtën kohë ky inflacion përcillet me rritje enorme të çmimeve ndërkohë që pagat janë pothuajse të ngrira që nga viti 2012, dhe e tërë kjo në të vërtetë po e vështirëson jetën e qytetarëve.”, ka thënë Gërxhaliu për Nacionale.

Gjithashtu, Gërxhaliu u shpreh se ajo se çfarë është më shqetësuese është se nga institucionet po mohohet kjo krizë ekonomike dhe inflacionit tejet shqetësues.

Kujtojmë që Kosova gjatë 2022-ës është përballur me inflacion të lartë, por edhe me humbje të mëdha në kursimet pensionale, ku Trusti ka humbur 161 milionë euro për 8 muajt të këtij viti.

E “qershia mbi tortën” e krizës, mbetet borxhi i madh që kosovarët kanë në banka, e të cilat për 8 muaj kanë korrur një fitim neto afër 100 milionë euro.