Kancelari gjerman Olaf Scholz ka urdhëruar përgatitjet që të tre reaktorët bërthamorë të mbetur të vendit të vazhdojnë të funksionojnë deri në mes të prillit. Ky veprim shënon një tjetër pengesë në planin afatgjatë të vendit për t’i dhënë fund përdorimit të energjisë atomike. Në vazhdim mund të lexoni një shpjegim të debatit të fortë politik të Gjermanisë rreth përdorimit të energjisë bërthamore.
PASOJAT NGA LUFTA E FTOHTË
Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore filluan prodhimin e energjisë bërthamore në vitet 1960, kur kjo lloj energjie konsiderohej gjerësisht një alternativë e sigurtë dhe e pastër ndaj qymyrit shumë ndotës, në të cilin vendi mbështetej prej kohësh për përmbushjen e shumicës së nevojave të tij energjitike. Dhjetëra reaktorë të llojeve të ndryshme u ndërtuan gjatë dekadave në vijim. Termocentrali më i fundit filloi punën në vitin 1989, rreth një vit përpara ribashkimit të vendit.
PROTESTAT KUNDËR CENTRALEVE BËRTHAMORE
Shqetësimet për rreziqet e energjisë bërthamore u rritën pas incidentit në centralin bërthamor në ishullin amerikan “Three Mile Island” në vitin 1979 dhe fatkeqësisë bërthamore të Çernobilit në vitin 1986. Këto incidente nxitën lëvizjen mjedisore të Gjermanisë Perëndimore dhe krijimin e Partisë së të Gjelbërve që tani është pjesë e koalicionit qeverisës të kancelarit Olaf Scholz.
PLANI I MBYLLJES SË CENTRALEVE BËRTHAMORE
Një qeveri e qendrës së majtë e socialdemokratëve dhe të gjelbërve miratoi një ligj në vitin 2002, që ndaloi ndërtimin e centraleve të reja bërthamore në Gjermani dhe parashikonte mbylljen e të gjithë reaktorëve ekzistues në dekadat pasuese. Ligji ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të zhvendosur prodhimin e energjisë në Gjermani, i njohur si “Energiewende”, ose tranzicioni i energjisë, nga karburantet me bazë fosile drejt burimeve të rinovueshme si ato nga era dhe dielli.
RISHQYRTIMI I PLANIT TË PARË
Qeveria konservatore e kancelares Angela Merkel njoftoi në vitin 2010 se Gjermania do ta zgjaste funksionin e centraleve të saj bërthamore, pjesërisht për të siguruar furnizim të mjaftueshëm me energji të lirë dhe me nivel më të ulët të çlirimit të karbonit në atmosferë. Centralet bërthamore çlirojnë shumë më pak gaze të dëmshme sesa termocentralet me qymyr, ose karburant dhe ofrojnë furnizim të qëndrueshëm me energji, pavarësisht nga moti. Sasia e prodhimit të energjisë diellore, ose asaj nga era varet nga moti, ditët me diell ose erë.
NDIKIMI I INCIDENTIT BËRTHAMOR NË FUKUSHIMA
Incidenti i vitit 2011 në termocentralin bërthamor të Fukushimës në Japoni shkaktoi një ndryshim të shpejtë, duke nxitur kancelaren Angela Merkel të deklaronte se Gjermania në fakt tani do t’i përshpejtonte përpjekjet për të hequr dorë nga energjia bërthamore dhe do të mbyllte centralin e fundit bërthamor në fund të vitit 2022. Ky vendim pati mbështetje të gjerë mes votuesve, por kritikët vunë në dukje se Gjermania rrezikonte të përballej me mungesa të energjisë elektrike, nëse nuk rritej në mënyrë të ndjeshme niveli i prodhimit të energjisë së rinovueshme. Për të shmangur këtë, Gjermania filloi të importojë gaz natyror, pjesën më të madhe nga Rusia, derisa të siguronte energji të mjaftueshme nga dielli dhe era. Përpjekjet për të gjetur një vend magazinimi afatgjatë për mbetjet bërthamore të Gjermanisë janë gjithashtu ende në vazhdim, sepse askush nuk i dëshiron ato.
PASOJAT E LUFTËS NË UKRAINË
Me rënien e fluksit të gazit nga Rusia, të reduktuar ndjeshëm për shkak të luftës në Ukrainë dhe rritjes së çmimeve globale të energjisë, qeveria gjermane është përpjekur të parandalojë një krizë energjetike këtë dimër. Zyrtarët kanë argumentuar se tre centralet bërthamore të mbetura ofrojnë vetëm 6% të energjisë elektrike të vendit dhe mungesa reale ka të ngjarë të ndihen më shumë në sektorin e ngrohjes, i cili furnizohet kryesisht me gaz dhe qymyr. Por me trysninë në rritje për të siguruar ngrohje për qytetarët e saj dhe për të treguar solidaritet me vendet fqinje, ministritë e Energjisë dhe të Mjedisit, të udhëhequra nga të Gjelbërit ranë dakord të zgjasin funksionimin e dy centraleve bërthamore.
Nga frika e ndërprerjeve të energjisë elektrike dhe çmimeve të larta, Demokratët e Lirë, gjithashtu pjesë e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz, kanë kërkuar së fundmi që të tre reaktorët të vazhdojnë të punojnë për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Ekspertët mendojnë se kjo masë nuk do të jetë e mjaftueshme dhe të Gjelbërit kanë shprehur kundërshtim të fortë ndaj saj. Rritja e trysnisë politike dhe rreziku i një shpërthimi të mosmarrëveshjeve të mëdha brenda qeverisë bëri që kancelari Scholz të ndërhynte të hënën tek partnerët e tij të vegjël të koalicionit për të arritur kompromisin për t’i mbajtur reaktorët në funksion deri në prill. /VoA/