Pamjaftueshmëria e prodhimit të energjisë, kriza ndërkombëtare si dhe konsumi i energjisë me afrimin e muajve më të ftoftë, pritet të ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes me furnizim të rrymës në Kosovë. Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë ka publikuar masat për kursimin e energjisë që duhet të zbatohen nga institucionet publike dhe ato lokale.
Ministria e Ekonomisë ka ndërmarrë disa masa për kursim të energjisë elektrike edhe në reduktimin e ndriçimit publik; si në autostrada; rrugë rajonale e ndërtesa të institucioneve publike, por pa shkaktuar rrezik për sigurinë e qytetarëve.
“Sa i përket ndriçimit publik është ndalimi i të gjithë ndriçimit publik gjatë periudhës së ditës kur ka dritë të mjaftueshme natyrale. Sa i përket ndriçimit të institucioneve publike kemi marr një numër të masave si zëvendësimi i të gjithë poçave standard me poça lled ndalja e ndriçimit gjatë periudhës së ditës kur ka dritë të mjaftueshme natyrale si dhe ndalimi i të gjithë ndriçimit gjatë mbrëmjes përpos atij ndriçimi që është i domosdoshëm për sigurinë fizike të objektit”, tha Edita Pozhari, këshilltare e Ministres së Ekonomisë .
Ndërsa në Institutin për Politika Zhvillimore, INDEP, thonë se masat e marra nga Qeveria janë të pamjaftueshme dhe të vona. Sipas tyre, këto masa duhej të fillonin që nga marsi dhe prilli.
”Kriza e cila pritet ta kemi pritet të godas veçanërisht pjesën e konsumit nga jashtë pra importin e energjisë elektrike për të cilën ne i bëjmë thirrje qeverisë që menjëherë të intervenojë me masa afatshkurtëra. Konsumatorët të cilët nuk mund ti ndryshojnë kalldajet e tyre të ngrohjes të ndërmarrin masat e efiçientës qoftë përmes izolimit të shtëpive, ndërrimit të pajisjeve elektrike”, deklaroi Dardan Abazi, hulumtues në INDEP.
Ndërkaq nga Komuna e Prishtinës deklarojnë se:
Me vendim të kryetarit të Komunës së Prishtinës është themeluar ekipi i Task Forcës për përgjigje ndaj emergjencave lokale në sektorin e energjisë. Shumë shpejt Task Forca do ta kontaktojë Zyrën e Kryeministrit për sqarime shtesë dhe kërkesa për mbështetje në realizim të masave të paraqitura në vendim. Një masë tjetër është edhe ndalimi i ngrohjeve në hapësirat ku nuk ka prezencë fizike si dhe minimizimi i temperaturave të ngrohjes që nga ora 16:00 e pasdites deri të nesërmen në orën 7:00 të mëngjesit.