Nga shpejtësia e shpërthimit të çmimeve të rritura edhe këtyre ditëve, kur institucionet, së paku në paraqitjet publike të përfaqësuesve të tyre, po tentojnë të shpërfaqin njëfarë serioziteti me preokupimin për t’u përballë me këtë problem madhor për kosovarët shumicë, situata duket të jetë tërësisht anarkike dhe totalisht jashtë kontrollit institucional.
Buletini Ekonomik
Çmimet e shumicës absolute të produkteve të ekspozuara në raftet e hapësirave tregtuese në vend, pavarësisht se në këto ditët e fundit u bë shumë zhurmë në insititucione duke premtuar edhe masa të përkohshme ligjore të ndërmarra më në fund për produktet themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, përditë vazhdojnë të ngriten.
Nga shpejtësia e shpërthimit të çmimeve të rritura edhe këtyre ditëve, kur institucionet, së paku në paraqitjet publike të përfaqësuesve të tyre, po tentojnë të shpërfaqin njëfarë serioziteti me preokupimin për t’u përballë me këtë problem madhor për kosovarët shumicë, situata duket të jetë tërësisht anarkike dhe totalisht jashtë kontrollit institucional.
Në fakt, masat e premtuara nga Qeveria është evidente që po vonohen të përligjen. Tek sot (e hëne), më në fund, Komisioni parlamentar për Ekonomi, pa votat e opozitës, ka miratuar Projektligjin me katër amendamente shtesë nga Zyra e Bashkimit Evropian për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Ndërsa, nesër ky Projektligj i miratuar në parim në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës dhe i përcaktuar me procedura të përshpejtuara, pritet të shqyrtohet në lexim të dytë. Mbetet të shihet se a do të miratohet nesër, në Seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, ky Ligj i kërkuar aq me ngulm nga opozitarët dhe i kundërshtuar pokaq me ngulm nga ta.
Edhe në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Ekonomi, deputeti nga AAK, Pal Lekaj, duke bërë vërejtje dhe kritika, ka vlerësuar se ky Projektligj është kundërkushtetues. Në fakt, deputetët e opozitës përgjithësisht të pakënaqur me projektligjin, nuk e votuan atë. Ata edhe dje e kanë braktisur mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë.
Në anën tjetër, ligjvënësit nga taborri mazhoritar e kanë cilësuar projektligjin si të mirë me përmbajtje dhe të efektshëm për të frenuar ngritjen e mëtejshme të çmimeve. Sipas Mimoza Kusarit, shefe e grupit parlamentar të LVV-së, ky projektligj është përbajtësor dhe esencial.
Ndërkohë, Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, e kanë cilësuar si antikushtetues edhe jo pak analistë dhe ekonomistë të vendit. Sidoqoftë, ndër qarqet juridike kudo qofshin ato, gjithmonë është vlerësuar se më mirë të ketë edhe ligj të keq, ose me të meta se sa mos të ketë fare ligj, por çfarëdo qoftë zhvillimesh shoqëore dhe zhvillimore.
Çmimet e ngritura egërsisht dhe pandalë thuaja përditë janë bërë problem i rëndë për Kosovën e varfër dhe financiarisht të brishtë. Ngritja e pakontrolluar, në të shumtën pa arsye, së paku në përqindje kaq të madhe dhe rekorde e çmimeve të produkteve bazike ushqimore, e vështirëson shumë jetën normale të kosovarëve shumicë. Dhe me këtë “rënie të lirë’ të çmimeve, ç’është më keq, nuk ndalet dot inflacioni, që po zhvlerëson në përmasa shqetësuese potencialin financiar të vendit. Këto janë faktet dhe gjendja evidente e reale me të cilën përballen kosovarët, në veçanti ata të rëndomtit, me të ardhura të pakta. Ata, po i presin ditë gjithnjë e më të vështira, kohë edhe më shqetësuese sa i përket ecurive dhe zhvillimeve financiare që reflektohen më ndjeshëm në mirëqenien e tyre dhe në jetën sociale të shumicës së banorëve të Kosovës. Prandaj, institucionet e vendit, një orë e më parë duhet të miratojnë masat e propozuara për të frenuar pasojat e mëtutjeshme nga ngritja e egër dhe jashtë çdo logjike të çmimeve.
Ndryshe, çdo vonesë e mëtejshme për të ndërmarrë ndonjë masë institucionale për t’ua prerë vrullin ngritjes së çmimeve nga tregtarët që me çdo kusht po shfrytëzojnë situatën thuaja se anarkike në ecurinë e lëvizjeve të çmimeve te ne, do t’u shkojë për shtati matrapazëve, manipuluesve dhe tregtarëve të pandershëm. Qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të paguajnë më shtrenjtë për çdo ditë të gjitha produktet e qumështit në Kosovë, edhe të prodhuesve vendor edhe ato të importuara, do të paguajnë me çmime të frikshme dhe rekorde edhe për rajonin dhe përtej edhe për orizin, sheqerin, vajin, produktet e mishit dhe të tjera mallra bazike.
Ndërsa, për çmimin e ngritur të bukës të pazyrtarizuar, sot kanë raportuar mediat e vendit. Sipas tyre, qytetarët e Kosovës tash e sa kohë paguajnë më shtrenjtë për bukën që konsumojnë.
Mediet kanë bërë publike se thuajse në çdo cep të vendit një bukë kushton 60 centë. Por, çmimin prej 50 centë nuk e ka ndryshuar kurrë Agjencia e Statistikave. Në publikimin e kësaj Agjencie del çdo ditë se një bukë ende kushton 50 centë. Pra, rritjes enorme të çmimeve të artikujve ushqimorë në Kosovë, siç po shihet, nuk i ka shpëtuar as buka. Në shumë qytete të vendit tonë, qytetarët tashmë për një bukë paguajnë 60 centë, nga 40 e 50 centë sa ishte më herët, ka raportuar Demokracia.com.
Sipas statistikave jozyrtare, në muajt e fundit, çmimi i bukës është rritur disa herë. Që nga viti i kaluar deri më tani, buka e rëndomtë, ajo që thuhet t’i ketë 500 gramë është rritur për 20 centë. Ndërsa, si rrjedhojë, kryekëput e rritjes enorme të çmimeve thuaja se te të gjitha produktet, por edhe të shërbimet, inflacioni vjetor në Kosovë deri në muajin gusht 2022, sipas ASK-së ka arritur në 13 për qind.
Duke parë këto ecuri ngritje çmimesh dhe inflatore, ekspertë të ekonomisë dhe njohës të zhvillimeve ekonomike, parashohin si “zgjidhje të qëndrueshme, edhe pse jo perfekte, indeksimin e pagave, të pensioneve, asistencën sociale dhe të subvencioneve sipas normë së inflacionit”.
Sipas tyre, vetëm kështu do të ruhej fuqia blerëse e të ardhurave.
“Vetëm kështu parandalohet thellimi i varfërisë dhe rënia e cilësisë së jetesës”, theksojnë ata. Kjo zgjidhje do të ishte lehtësisht e realizueshme në sektorin publik. Për më tepër, kjo nuk do të ngarkonte shumë buxhetin e shtetit, pasi të hyrat tatimore janë rritur proporcionalisht me rritjen e inflacionit”, ka shkruar në një postimi të tijin këto ditë ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.
Për sektorin privat, Hoti ka thënë se do të duhej të rritej paga minimale me vendim të Qeverisë për t’u reflektuar në rritjen e pagave të kategorive më të ndjeshme të punëtorëve që kanë paga të ulëta. ‘Merre kah ta marrësh’, kriza e çmimeve e ka përfshirë gjithanshëm Kosovën, prandaj, institucionet e vendit duhet të përshpejtojnë për ta zbutur, së paku këtë krizë. Çdo moment i shtyrjes së mëtutjeshme të ndërmarrjes së ndonjë mase të efektshme dhe rezultative (pavarësisht kush e miraton, ose e kundërshton atë) në ecuritë e mëtejshme të lëvizjeve të çmimeve, do të jetë edhe më kërcënues dhe me pasoja edhe me të hidhura për gjendjen sociale të banorëve shumicë të Kosovës. /Buletini Ekonomik/