Dje në Parkun për Inovacion dhe Trajnime në Prizren është bërë inaugurimi i Rrjetit për Hulumtim dhe Edukim të Kosovës (KREN).
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për shërbimet dixhitale që Kosova tani i ofron për qytetarët. Ai ka përmendur të gjitha shërbimet elektronike që ofrohen për mes platformës e-kosova, raporton RTKlive.
Kurti tha se Kosova tashmë është kampione për shtrirje të internetit.
Sipas tij, me Rrjetin për Hulumtime dhe Arsim të Kosovës (KREN), universitetet në Kosovë tash janë të lidhura me njëri-tjetrin dhe me rrjetin pan-evropian të universiteteve dhe institucioneve hulumtuese GEANT.
“KREN do të luajë rol të rëndësishëm në Kosovë”, tha ai.
Ndryshe mbi 85,000 anëtarë të stafit dhe studentë të universiteteve në Kosovë tash mund të shkëmbejnë njohuritë dhe të bashkëpunojnë në hulumtime.
KREN ofron shërbime të rrjetit dhe qasje në aplikacione për gati të gjitha universitetet publike dhe private në Kosovë. Ofron platforma për mësim, sisteme për menaxhim të kurseve, dhe softuer të licencuar nga shërbimet e veta në Cloud, të bazuara në serverët më bashkëkohorë. Në të ardhmen kjo infrastrukturë do të mund të shfrytëzohet edhe nga shkollat fillore dhe të mesme, si dhe nga institucionet tjera të shërbimeve publike. Zhvilimi i KREN ishte pjesë e Projektit për Ekonominë Digjitale të Kosovës (KODE).