Samiti i Tiranës do të mbahet më 6 dhjetor, ndërsa operatorët e telekomunikacionit nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor pritet të nënshkruajnë një Deklaratë që mundëson uljen e çmimeve të roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2023.
Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) ndan disa informacione para mbajtjes së Samitit:
Pritshmëritë nga Samiti i Tiranës janë të larta, veçanërisht për shkak të lajmeve të mira për qytetarët e rajonit, nga Samiti i Procesit të Berlinit në fillim të nëntorit – kur liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (CRM), nënshkruan tre marrëveshje të rëndësishme (për Lirinë e Lëvizjes me Kartë Identifikimi, për Njohjen e Kualifikimeve të Arsimit të Lartë dhe për Njohjen e Kualifikimeve Profesionale për Doktorët e Mjekësisë, Stomatologët dhe Arkitektët), të koordinuara dhe të ndërmjetësuara nga RCC.
Tashmë, marrëveshjet do të hyjnë në procedurën e ratifikimit në nivel kombëtar, sipas kërkesave të parashikuara nga legjislacioni përkatës i secilës prej Palëve. RCC është në kontakt të rregullt me të gjithë nënshkruesit e marrëveshjeve në lidhje me proceset e ratifikimit. Është në interesin e të gjithëve që Marrëveshjet të fillojnë zbatimin e tyre sa më shpejt, ndaj jemi optimistë se kjo do të ndodhë në kohën më të shkurtër të mundshme.
Megjithatë, puna jonë për zbatimin e CRM vazhdon. Që prej hyrjes në fuqi të Marrëveshjes Rajonale të Roaming-ut në Ballkanin Perëndimor, duke mundësuar në rajonin tonë roaming me tarifa 0 që nga korriku 2021, RCC ka punuar në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, Bashkimin Evropian dhe operatorët e Ballkanit Perëndimor, si dhe autoritetet në rajon, për reduktimin e roaming-ut edhe mes vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Që nga korriku 2021, janë mbajtur një sërë takimesh konsultimi me operatorët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.
Mund të gjeni më shumë informacion në faqen tonë të internetit dhe kanalet e mediave sociale, por më e fundit është kjo:
Roaming Free në Ballkanin Perëndimor prezanton disa ndryshime të rëndësishme. Sipas statistikave nga draft raporti i trafikut të të dhënave në roaming, numri i përdoruesve të roaming në rajon është rritur me 100%. Kur krahasojmë gjysmën e dytë të vitit 2021 me gjysmën e parë të të njëjtit vit, numri i minutave të kryera në thirrjet zanore dalëse u rritën deri në 237%, ndërsa thirrjet zanore hyrëse u rritën deri në 173%. Në të njëjtën kohë, vëllimi i trafikut të të dhënave u rrit deri në 459%.
Të dhënat e roaming nga raporti i të dhënave Roaming, bazuar në të dhënat e vitit 2021:
Trafiku i përdorimit nga kosovarët, gjatë roaming në BP në gjysmën e dytë të vitit 2021 krahasuar me gjashtëmujorin e parë 2021:
- Thirrjet zanore dalëse (numri i minutave): 45% rritje
- Thirrjet zanore hyrëse (numri i minutave): 147% rritje
- Volumi i trafikut të të dhënave (MB): 80% rritje
Këto janë shifra të jashtëzakonshme që shkojnë në favor jo vetëm të bashkëpunimit rajonal në tërësi, por flasin shumë edhe për një klimë më të mirë në të gjithë rajonin. Për sa i përket perspektivës ekonomike, sipas raportit të Bankës Botërore, rajoni vlerësohet të regjistrojë një rritje ekonomike prej 3.4% këtë vit.
Çdo arritje dhe rezultat nën agjendën e Tregut të Përbashkët Rajonal është një hap përpara drejt krijimit të një klime investimi mikpritëse që mund të tërheqë investime me cilësi të lartë dhe të qëndrueshme.
Prandaj, ulja e tarifave të roaming ndërmjet BE-së dhe rajonit tonë do të jetë një arritje e rëndësishme po të merret parasysh fluksi tashmë i lartë i udhëtimeve turistike nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve te BE-së dhe anasjelltas, veçanërisht duke pasur parasysh komunitetet e rëndësishme të diasporës. Përfitimet janë të shumta. Do të kursente para për qytetarët e të gjithë Ballkanit Perëndimor dhe BE, si dhe do të ulte kostot e funksionimit të biznesit; do të inkurajonte të bërit biznes jashtë kufijve të tyre, por gjithashtu do t’i jepte një shtysë edhe më të madhe turizmit tonë.
Pikërisht për të gjitha këto arsye Samiti BE-BP në Tiranë më 6 dhjetor 2022 është i rëndësishëm në shumë nivele – nga këndvështrimi i BE-së i BP- së, agjendës së Gjelbër të BP- së, sigurisë së energjisë dhe ushqimit, rinisë e deri te trajtimi i dezinformimit dhe i kërcënimeve kibernetike dhe padiskutim dhe ulja e tarifave të roaming. Rritja e zbatimit të Planit të Veprimit të Përbashkët Rajonal të Tregut është me rëndësi të madhe dhe ne shpresojmë të shohim rezultate pozitive dhe të prekshme për qytetarët në lidhje me uljen e tarifave të roaming midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.