Ministria e Drejtësisë përmes një vendimi ia ka marrë të drejtën e ushtrimit të profesionit të përmbaruesit, Ilir Mulhaxhes, përmbaruesit në rastin Z-Mobile.
Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të këtij vendimi.
“Me datë 29.11.2022, Departamenti për Profesione të Lira në Ministrinë e Drejtësisë ka pranuar nga Telekomi i Kosovës Sh.A, në cilësinë e palës debitore, propozimin për inicimin e procedurës disiplinore ndaj përmabruesit privat z.Ilir Mulhaxha, I emëruar për territorin e Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në arsyetimin e këtij vendimi.
Në vendim thuhet se “Ilir Mulhaxha suspendohet nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat deri në një vendim të komisionit disiplinor”.
Ndaj këtij vendimi, ka reaguar Federata Sindikale e Telekomit të Kosovës.
“Sot, Ministria e Drejtësisë përmes vendimit ka suspenduar funksionin e përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha përshkak të shkeljeve që ka berë me kontraten famëkeqe ish Zmobile! FSP-PTK me vite ka alarmuar të gjitha Institucionet Shtetërore se Telekomi i Kosovës ka pësuar humbje mbi 200 milion euro vetëm nga kontrata me ish-Zmobile dhe vazhdon ende me kërcënime për bllokim të llogarive bankare, arbitrazhe të fabrikuara me pretendim të një boxhi fiktiv”, thuhet në reagim.
Në reagim, thuhet se FSP-PTK i gëzohet këtij vendimi dhe shpreson shumë që “rrjeti i këtij krimi ekonomik ka filluar të ndriqohet”.
“Sot, filloi me përmbaruesin dhe duhet të vazhdojë me hetimin e të gjithëve, prej nëshkruesëve, zbatuesëve, gjykatave, prokurorisë dhe deri te oligarku Blerim Devolli”, thuhet në reagim. /Buletini Ekonomik/