Aktiviteti i bizneseve në Eurozonë ra për të pestin muaj radhazi në nëntor, duke treguar kështu se ekonomia po shkon drejt një recesioni të butë pasi konsumatorët po ulin shpenzimet në kushtet e inflacionit në rritje, tregoi një sondazh.
Indeksi i përbërë i menaxherëve të blerjeve (PMI) nga S&P Global për eurozonën, i cili konsiderohet si një udhëzues i mirë për shëndetin ekonomik, u rrit duke shkuar në shifrën 47.8 në muajin nëntor, krahasuar me nivelin më të ulët 23-mujor të tetorit prej 47.3. Çdo shifër nën 50 tregon rënie të aktivitetit ekonomik.
“Rënia e prodhimit për të pestin muaj radhazi, siç sinjalizohet nga PMI, shton gjasat që eurozona po shkon drejt një recesioni,” tha Chris Williamson, kryeekonomist për bizneset në S&P Global Market Intelligence.
“Megjithatë, aktualisht rënia mbetet modeste, pasi lehtësimi i shkallës së përgjithshme të tkurrjes në nëntor nënkupton që deri tani, rajoni duket se do të ketë një rënie të PBB-së me vetëm 0.2%.
Ekonomistët vlervsojnë se ka një shans mesatar prej 78% për të pasur një recesion në eurozonë brenda një viti, në një sondazh të Reuters muajin e kaluar. Ata parashikuan se ekonomia do të bjerë me 0.4% këtë tremujor.
Me rënien e kërkesës dhe me mundësitë e vogla për një ndryshim të perspektivës në të ardhmen e afërt, firmat reduktuan punësimin. Indeksi i punësimit ra në 51.8 nga 52.5. Papunësia në rajon ra në 6.5% në muajin tetor, treguan të enjten të dhënat zyrtare.
Indeksi PMI që mbulon industrinë dominuese të shërbimeve në vendet e bllokut ra në 48.5 nga 48.6, shifra më e ulët që nga fillimi i vitit 2021, e cila ishte nën vlerësimin paraprak prej 48.6.
Megjithatë, indekset e çmimeve të inputeve dhe të prodhimit ranë, duke treguar që presionet inflacioniste mund të kenë arritur tashmë kulmin e tyre. Këto lajme me gjasë janë mirëpritur nga politikëbërësit në Bankën Qendrore Europiane. Indeksi i çmimeve të prodhimit rezultoi në nivelin më të ulët 3-mujor, prej 62.3.
Inflacioni në bllok ishte 10.0%, një shifër më e ulët nga sa pritej për muajin nëntor, sipas të dhënave zyrtare paraprake të publikuara javën e kaluar. Gjithsesi, ai mbetet pesë herë më i lartë se objektivi i BQE-së prej 2%.
Banka qendrore ka rritur normat e interesit për të provuar që të zbusë rritjen e çmimeve dhe pritet që të shtojë edhe 50 pikë bazë të tjera më vonë këtë muaj.
“Me sondazhet që tregojnë shenjat se inflacioni ka arritur kulmin, ndikimi i rritjes së çmimeve te kërkesa do të fillojë të lehtësohet në muajt e ardhshëm, duke bërë kështu që çdo recesion i mundshëm të jetë i shkurtër dhe relativisht i butë,” tha Williamson. /Reuters/