Ushqimet në Shqipëri, më të shtrenjtat në rajon, rekord qumështi e djathi

Dyqan i produkteve ushqimore

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri kushtojnë sa 81% e mesatares së Bashkimit Europian, sipas tabelave të publikuara nga Eurostat.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria i ka ushqimet më të shtrenjtat. E dyta më e shtrenjtë pas Shqipërisë është Serbia, me 77.1% të mesatares së BE-së, Mali i Zi (76.6%),  Bosnja (74.5%).

Më të lirat, ushqimet janë në Maqedoni, me 60% të mesatares europiane.

Reklama e sponzorizuar

Për bukën dhe drithërat, Shqipëria renditet e treta më e shtrenjta (69.7% të mesatares europiane), pas Malit të Zi (73%) dhe Serbisë (70%). Sërish, buka është më e lirë në Maqedoni, me 56.7% të mesatares europiane.

Sa i përket mishit, Shqipëria është sërish më e shtrenjta në rajon, me 72% të mesatares europiane. Më i lirë mishi është në Mal të Zi dhe Maqedoni (61.8%).

Ndonëse një vend bregdetar, peshku në Shqipëri më është i shtrenjtë se në gjithë vendet e tjera të rajonit, me 82.5% të mesatares së BE-së. Në Maqedoni, kushton sa 61.7%.

Rekord vendi ynë mban dhe për qumështin, djathin dhe vezët, që janë pothuajse sa mesatarja e Bashkimit Europian (97.9%). Produktet e bulmetit janë shumë më të shtrenjta se në Serbi (86.7%), Mali i ZI (83.3), Bosnjë (80.4), Maqedoni e veriut (70.3).

Përveçse ka çmime të shtrenjta të ushqimeve, shqiptarët kanë dhe të ardhurat më të ulëta në rajon, çka bënë që ata të kenë dhe peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqime, me 44% të totalit, nga 12% që është mesatarja e BE-së dhe rreth 30% për vendet e tjera të rajonit.

Në Europë, më e shtrenjta për ushqimet është Zvicra, me 166% të mesatares europiane. Edhe për bukën, sërish është Zvicra më e shtrenjta (154%). Sidomos mishi kushton shumë në Zvicrës, me 234%.

Pas Zvicrës për shtrenjtësi të ushqimeve renditen Norvegjia, Islanda, Danimarka, Luksemburgu, Austria, Finlanda, Franca.